Kosova

Lajçak paralajmëron vizitë në Kosovë për ta përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve


Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar në rrjetin e tij social “Facebook” për takimet e tij me zëvendësndihmësekretarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanov dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në margjinat e Forumit “GLOBSEC 2024” dhe ka paralajmëruar një vizitë në Prishtinë për ta përgatitur takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve.

“Një moment kryesor ishte takimi me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e ri të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof në margjinat e GLOBSEC. Po aq të rëndësishme ishin takimet e mia me presidentin Vuçiç për hapat e ardhshëm në dialog. Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Bled në Forumin Strategjik të Bledit këtë vit dhe në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar Lajçak.

Dy ditë më parë, Lajçak pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç shkroi në platformën “X” se është urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

“Fola me Vuçiç-in rreth pritshmërive dhe hapave të ardhshëm në dialog. Ne diskutuam gjithashtu Planin e Rritjes dhe nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizim”, shkroi Lajçak.

Ndërsa gjatë një paneli në Forumin “GLOBSEC 2024” të shtunën, diplomati sllovak ka vlerësuar se si në Kosovë ashtu edhe në Serbi aktualisht mungon vullneti politik dhe se shoqëria në të dyja vende nuk janë të gatshëm për një proces i cili do të përfundonte me zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në shkurt do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë, prandaj është naive të presim një kthesë para zgjedhjeve. Por ne duhet të shohim një ndryshim të rëndësishëm në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve”, pati potencuar Lajçak.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore