Kosova

Lajçak: Marrëveshja Kosovë-Serbi e redukton interferimin e Rusisë në rajon


Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se nëse nënshkruhet Propozim-Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të zvogëlohet hapësirëa e interferimit të Rusisë në rajon dhe të krijojë kaos.

Lajçak gjatë konferencës “Evropa dhe Rusia në Frontin Ballkanik”, të organizuar nga Instituti Italian për Studimet e Politikës Ndërkombëtare, tha se pas agresionit rus në Ukrainë, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë për BE-në.

Diplomati sllovak vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë problem kyç për të gjithë rajonin, i cili e bllokon tërë Ballkanin Perëndimor dhe lirinë e lëvizjes së njërëzve dhe mallrave.

“Pranimi i marrëveshjes do të ishte një mesazh pozitiv për të gjithë rajonin. Kemi përpiluar një Aneks në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Pas bisedimeve të mia në Prishtinë dhe Beograd, është duke u përgatitur një version i ri i Aneksit, i cili do të diskutohet në Ohër të shtunën”, tha Lajçak.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropian-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Emisari Speical i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë ditëve të fundit takoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Ndërkaq, për këtë arsye edhe emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Prishtinë dhe Beograd gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore