Kosova

Lajçak kritikon Serbinë: Radojiçiç të mbahet përgjegjës për atë çka ka bërë – të përballet me drejtësinë


Miroslav Lajçak

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se krimineli serb Milan Radojiçiç i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të mbahet përgjegjës dhe të përballet me drejtësinë.

 “Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Milan Radojeçiç-in që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë”, tha Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është mbajtur ende përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe se nuk e ka dorëzuar akoma përgjegjësin e këtij sulmi kryekriminelin Radojiçiç tek autoritetet e Kosovës.

“Para katër ditësh u mbushën plotë 11 muaj nga agresioni i Serbisë ndaj vendit tonë kur u vra rreshteri i Policisë, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë sulm Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos dorëzojë drejt autoriteteve tona kryekriminelin Milan Radojiçiç”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Po ashtu, Kurti pati potencuar se gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë thirrje që të shtohet trysnia mbi Serbinë për ta dorëzuar Radojiçiç-in.

“Edhe gjatë qëndrimit në SHBA në takimet me senatorë dhe kongresistë amerikanë kërkova që të ketë më shumë trysni nga bota perëndimore dhe demokratike për vënie para drejtësisë të akteve terroriste dhe destabilizuse të Beogradit dhe individëve përgjegjës”, shtoi.

Ndryshe, Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – së bashku me një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, pasi që personat që morën përgjegjësinë kanë lidhje të ngushta me regjimin në Serbi.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i e ku theksohet se potencon se ky i fundit për këto vepra mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

Raporti i detajuar i INTERPOL-it kundër Radojiçiç precizon me saktësi se “më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjë të komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake”.

Gjithashtu, raporti nënvizon faktin se Radojiçiç dhe bashkëkryesit e tij bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës dhe sulmuan ata me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit.

Sipas INTERPOL-it, ka dyshime të arsyeshme që Radojiçiç në cilësinë e kreut të një grupi kriminal nga vitit 2017 deri në vitin 2023 nëpërmjet kontrabandës ka krijuar të ardhura të majme të cilat më pastaj i ka investuar në patundshmëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore