Kosova

Kurti: Zgjedhjet në vjeshtë ose në dimër, varësisht nga dakordimi i opozitës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja parlamentare mund të mbahen në vjeshtë ose në dimër, por paraprakisht thekson se duhet të ketë dakordim mes opozitës.

Këto komente, Kurti i ka bërë pasi që dështoi iniciativa e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme të shpërndahet kuvendi.

“Mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjëherë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhje të reja”, tha Kurti në një intervistë për media lokale “TV Kamenica”.

“Unë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur më pak se 10 muaj andaj pata shprehur gatishmërinë time që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare që janë të rëndësishme pavarësisht partive politike dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do ishte e përshtatshme për të gjithë”, shtoi.

Megjithëkëtë, kryeministri theksoi se nuk u bë shkuarja në zgjedhje në pranverë, “ta shohim çka sjell vjeshta dhe dimri”.

Në kushtet normale, zgjedhjet parlamentare do të duhet të mbaheshin në shkurt të vitit 2025, mirëpo ka gatishmëri si nga pozita, ashtu edhe nga opozita që të njëjtat të organizohen më herët.

Por, dallimet për mënyrën se si të bëhet kjo e kanë krijuar një situatë që ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

Pushteti dhe PDK-ja janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërndarjes së kuvendit, ndërsa LDK dhe AAK kërkojnë që një gjë e tillë të bëhet përmes dorëheqjes së Kurtit, ose mocionit të mosbesimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore