Lajme

Kurti thotë se për mungesën e reformës në drejtësi na ka faj Opozita


Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu

Me kritika ndaj Prokurorisë Speciale për mos efikasitet dhe ndaj partive opozitare për dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese është përshkruar takimi i Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut i mbajtur të enjten, e të cilin e ka udhëhequr presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ku prezentë ishin kryeministri Albin Kurti, disa ministra të kabinetit të tij dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka thënë se ka pasur arrestime e akuza të shumta, por që kanë përfunduar me lirime e arreste shtëpiake dhe jo aktakuza, duke theksuar se “kur kishim barrikada paramilitare, sivjet kur kishim sulme paramilitare, por këto informata të shumta, ndonëse janë shndërruar në hetime të shumta” dhe sipas tij, nuk janë reflektuar në aktakuza të shumta.

“Kemi shumë pak aktakuza për krimet e panumërta të kryera ndaj qytetarëve, rendit tonë kushtetues e juridik, integritetit tonë territorial në Kosovë, si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2023. Edhe atëherë kur ka pasur arrestime dhe akuza, ka pasur lirime me arreste shtëpiake, ka pasur trajtim që nuk ka dekurajuar kriminelët”, theksoi Kurti.

Ai po ashtu është ankuar se Qeveria e tij është përballur me sfida si “përfundimi i reformave të saj në Gjykatën Kushtetuese”, duke theksuar se 10 ligje të rëndësishme janë “të ngujuara” në Kushtetuese dhe e ka cilësuar si një lloj “aktivizim të çuditshëm” dërgimin e ligjeve në Kushtetuese nga ana e opozitës, ndërsa i ka fajësuar këta të fundit për vonim të reformave.

“Një sfidë që e kemi pasur si Qeveri është që reformat tona kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nga 16 nëntori i vitit të kaluar deri më 2 nëntor të këtij viti, i kemi 10 ligje të rëndësishme të reformës sonë që ose ngelen të ngujuara në Gjykatën Kushtetuese, ose janë rrëzuar apo deformuar aty”, ka potencuar ai.

Në një linjë me shefin e saj në Qeveri sa i përket akuzave ndaj opozitës “për pengim të reformës në drejtësi”, ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka nënvizuar se opozita e cila po i dërgon projektligjet e hartuara nga ekzekutivi në Gjykatën Kushtetuese, e që pjesën më të madhe të tyre i ka fituar si raste në Kushtetuese.

“Unë e di që ata kanë të drejtë që t’i dërgojnë dhe të kontestojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese, askush s’po e mohon, por për sa kohë që kemi opinion pozitiv për një reformë, siç ka qenë Ligji për Këshillin Prokurorial, siç është Vettingu, siç është Byro për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, atëherë cila është kuptimi që të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese”, potencoi Haxhiu.

Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në Veri asnjëherë s’ka pasur prezencë më të madhe të institucioneve të sigurisë që nga paslufta.

“Kosova asnjëherë s’ka pasur prezencë më të madhe në Veri të Kosovës. Vetë suksesi në regjistrimin e makinave të tyre me targa të RKS-së dhe po ashtu marrja e pasaportave është një dëshmi e kësaj prezence të institucioneve të Republikës së Kosovës në veriun e vendit”, tha Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore