Lajme

Kurti: Shqiptarët e Luginës kanë një Qeveri që kujdeset për ta, pikërisht kur shteti serb i diskriminon qëllimshëm


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdën e postimeve që ditëve të fundit është duke i bërë për të treguar “sukseset” e qeverisjes së tij në fusha të ndryshme, këtë radhë ka shkruar për “mbështetjen” që ekzekutivi i tij ia jep shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tani kanë një Qeveri që kujdeset për ta, pikërisht atëherë kur shteti serb i injoron e i diskriminon qëllimshëm”, e filloi Kurti shkrimin e tij në një postim në Facebook.

Ekzekutivin që ai e drejton e përshkroi si një qeveri “që synon përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Serbi, në kohën kur shteti serb synon një Serbi pa shqiptarë”.

Ai tha se për herë të parë që prej pavarësisë së Kosovës, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci “kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës”.

“Deri më tani gjatë qeverisjes sonë kemi ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19, gjatë qeverisë sonë të parë në vitin 2020. E kur vërshimet e vitit 2021 goditën Komunën e Preshevës, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se kanë siguruar tekste në gjuhën shqipe për katër mijë nxënës të shkollës fillore dhe 950 parashkollorë, duke shtuar se “financuam bursa studimi për 107 studentë shqiptarë”.

“Për ata studentë që studiojnë në Kosovë, i lehtësuam procedurat administrative duke ulur pragun e dëshmisë për qarkullim financiar nga 2500 euro në vetëm 500 euro. Ndërkaq me rregulloren e re të Ministrisë së Drejtësisë për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’i mundësohet realizimi i të drejtave të pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Kosovë”.

Vitin e kaluar, theksoi ai, “nënshkruam memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar”.

Sic tha Kurti, përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur “75 projekte e nisma të ndryshme”.

“Çështja e shqiptarëve në Serbi, diskriminimi shtetëror, shkelja e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimi i adresave, për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan”.

“Seancës dëgjimore në Senat të muajit maj, i parapriu vizita e delegacionit të përfaqësuesve shqiptarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe takime me senatorë në mars, vizitë kjo që u mbështet me fonde të ndara nga Qeveria jonë në muajin shkurt”.

Tutje, ai pohoi se financiarisht e kanë mbështetur edhe fushatën “avokuese të përfaqësuesve shqiptarë” në Parlamentin Evropian, në qershor të këtij viti.

“E mbështetja financiare vitin e ardhshëm përveçse do të vazhdojë, ajo do jetë më e madhe për 50%. Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore