Kosova

Kurti: Reciprociteti – parim mbi të cilin do të bazohen veprimet e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të tij me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

“Reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës”.

Kështu është shprehur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të tij me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njofton zyra e kryeministrit.

Kurti në këtë takim e ka njoftuar Borrellin për pengesat jo-tarifore që Serbia u bënë prodhuesve nga Kosova, siç “ishte rasti më i fundit me kamionin që u bllokua, ndonëse po kalonte vetëm tranzit nëpër territorin e Serbisë”.

Ndërkaq, Borrell deklaroi se ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.

Ai tha se kjo “do të duhej të shërbente si momentum i ri për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare si rezultat e dialogut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të tij me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

“Të dy u pajtuan se dialogu është platforma përmes së cilës palët arrijnë t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura”, vijon njoftimi.

Ndryshe, të mërkurën e gjashtë tetorit është mbajtur Samiti në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku kanë marrë pjesë liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Liderët e Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë

I pranishëm ishte edhe Kurti i cili është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ku kanë folur për Procesin e Berlinit.

Po ashtu, kryeministri Kurti, ka propozuar që Ballkani Perëndimor të pagëzohet si “Ballkani Perëndimor Gjashtë”. Kjo, për arsye se Ballkani Perëndimor përbëhet prej gjashtë shteteve.

Kështu shkruan Kurti në një shkrim në llogarinë e tij në Twitter, duke i cilësuar si vërejte të bëra pas Samitit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ideja e kryeministrit është që të ngurtësojë faktin se në Ballkanin Perëndimor janë gjashtë shtete, gjë që Serbia nuk e pranon, por as Bashkimi Evropian si union.

“Mirëpresim deklaratën e përbashkët me disa rezerva: Kur i referohemi Ballkanit Perëndimor duhet të themi Ballkani Perëndimor Gjashtë, pasi ka gjashtë vende”, ka shkruar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore