Kosova

Kurti pas takimit me Shefin e CIA-s: Vizitë historike, dëshmi e marrëdhënieve të forta mes dy vendeve


Albin Kurti dhe William Burns

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Shefin e Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka thënë se në këtë takim u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Kështu të paktën ka njoftuar Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, ku theksohet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet aty.

Aty potencohet se Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”.

Shefi i CIA-s ka qëndruar të enjten dhe të premten në Kosovë.

Fillimisht ka takuar Presidenten Vjosa Osmani, së bashku me Shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti.

Ndërsa, të premten është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.

Fillimisht, Burns vizitoi Bosnje e Hercegovinën më 20 gusht, ndërsa më 21 gusht, qëndroi në Serbi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore