Lajme

Kurti në Spanjë: Katalonja s’duhet të jetë pretekst për mosnjohje të Kosovës


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për mediumin spanjoll “El periodico”, ka thënë se Spanja nuk duhet të niset nga preteksti i Katalonjës për të mos e njohur Kosovën si shtet të pavarur.

“Nga ajo çfarë na është thënë, ka qenë një shqetësim në Spanjë se pavarësia e Kosovës mund të shërbej si precedent për disa rajone spanjolle që dëshirojnë të shkëputen”, tha Kurti duke vazhduar argumentin e tij.

“NATO ndërhyri në Kosovë në pranverën e vitit 1999 për të ndaluar gjenocidin e kryer nga regjimi i Solobodan Millosheviç’it”.

“Dhe nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonjës apo ndonjë pjese tjetër të Spanjës, Madridi nuk duhet ta sheh veten e tij si Beogradi”, shtoi ai.

Për kreun e ekzekutivit kosovar, ndër arsyet tjera se pse Spanja refuzon ta njohë shtetësinë e Kosovës, sipas tij, buron nga ajo se spanjollët nuk kanë njohuri për rrethanat që çuan drejt pavarësisë.

Albin Kurti

“Standardi i jetesës në Kosovë ka qenë gjithmonë disa herë më i ulët se në pjesën tjetër të federatës jugosllave. Në vitin 1979, koha kur standardet e jetesës në ish-Jugosllavi ishin më afër njëri-tjetrit, dallimi mes më të pasurve, Sllovenisë, dhe Kosovës ishte shtatë me një”.

“Vetëvendosja jonë, pavarësia jonë, bie ndesh me këto fakte. Pra, nuk e di ku mund të gjesh analogji, ngjashmëri, në Spanjë”, u shpreh ai.

Kur u pyet pse Kosova nuk e mbështeti referendumin në Katalonjë për shkëputje nga Spanja, Kurti potencoi se ajo që i ka munguar Kosovës për të krijuar ndjenjën e solidaritetit me Katalonjën ishte se – përveç ditës së referendumit – nuk kishin parë dhunë policore, për ta krijuar përshtypjen se ishte luftë për të drejtat e njeriut.

“Aty ku ka dhunë shtetërore, ajo mund të konsiderohet si çlirimtare. E kuptoj që brenda Bashkimit Evropian, nëse ka ndarje, ato duhet të jenë si modeli i Republikës Çeke dhe Sllovakisë”, vuri në pah ai.

Shefi i qeverisë u ndal ta komentojë edhe sistemin politik në Serbi të instaluar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Serbia është ende një vend autokratik sot; e njëjta parti fiton gjithmonë zgjedhjet”.

“Ata kanë pasur vetëm dy vjet demokraci nën Zoran Dindiç (kryetari i Beogradit që përmbysi Millosheviç’in dhe që u vra kur ai qeveriste vendin, në mars 2003)”, kujtoi ai.

Gjithashtu, Kurti foli edhe për takimin me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez.

“Takimi ynë ka qenë shumë i përzemërt sepse i përkasim të njëjtës familje politike”, bëri të ditur ai, megjithëse për momentin, qëndrimi i tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Ajo që më duhet nga Pedro Sanchez në radhë të parë është mbështetja për aplikimin tonë për të hyrë në Këshillin e Evropës”.

“Sapo e dëbuan Rusinë… tani është koha të hyjë Kosova”, përfundoi ai.

Ndryshe, Kurti të premten ka udhëtuar drejt Spanjës ku po merrë pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste, që mbahet në Madrid, në kongresin që do të mbahet nga 25 deri më 27 nëntor, i  organizuar nga Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore