Lajme

Kurti në 11 vjetorin e marrëveshjes Kosovë-Serbi thotë se dakordimi i tij me Vuçiç-in adreson gjetjet e Kushtetueses për Asociacionin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 11 vjetorin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë (19 prill, 2013), e nënshkruar nga ish-kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, dhe ai serb, Ivica Daçiç, ka thënë se njëjta në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.

Këto komente, Kurti i ka bërë në postim në Facebook. Ai kritikoi marrëveshjen e 2013, ndërsa nga ana tjetër u mburr me Marrëveshjen Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), që e ka dakorduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, e cila, sipas Kurtit, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Fillimisht, kryeministri foli për përmbajtjen e marrëveshjes së vitit 2013, e cila i ka 15 nene, derisa 6 të parët merren me “Asociacion/Bashkësi të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.

“Nenet tjera në vijim merren me integrimin e komunitetit serb në institucione të Kosovës, çështjen e energjisë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE”, shkroi Kurti.

“Zbatimi i neneve për ‘Asociacionin’ u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe [Isa] Mustafa dhe Vuçiç”, shtoi.

Ai përmendi faktin se kjo e fundit ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor të atij viti. “Doemos, pasi që marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja”.

“Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për ‘Asociacionin’ sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik”.

Ai potencoi se pas këtij vendimi të Gjykatës “ku Asociacioni me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj”.

“Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi”.

Para 11 vjetëve, në vlerësimin e kryeministrit, “u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia”.

Nga ana tjetër, duke folur për marrëveshjen që ai si udhëheqës i bisedimeve me Serbinë e ka arritur, tha se në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, “përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’”, ndonëse në draftin që Kurti e ka pranuar për këtë mekanizëm, parashihet – ndër të tjera – komision i arbitrazhit.

“Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”, shtoi.

Kurti potencoi se nuk të flitet e diskutohet vetëm për Asociacionin, “pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023), pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike); pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiç (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”.

“E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Malit të Zi) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!”, shtoi.

Ai theksoi se qeveria që ai udhëheqë ka “shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës. E përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore