Kosova

Kurti me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste për promovimin e vlerave të përbashkëta


Albin Kurti dhe Benedicta Lasi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), në Berlin, është takuar me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin në promovimin e vlerave të përbashkëta.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën X.

“E rikonfirmova angazhimin tonë për të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar në promovimin e vlerave të përbashkëta si drejtësia dhe mundësitë e barabarta, dhe në luftën kundër ekstremizmit të krahut të djathtë, me zgjedhje në horizont në shumë vende”, shkroi Kurti.

Në margjinat e Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), gjatë ditës, Kurti ka takuar edhe Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Kurti ka bërë të ditur se me Scholz ka diskutuar për forcën e marrëdhënieve dypalëshe në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Kënaqësi të marr pjesë në kongresin e partisë SPD të këtij viti, ku pata një takim të frytshëm me Olaf Scholz, duke nënvizuar forcën e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe vizionin tonë të përbashkët si socialdemokratë që nxisin drejtësinë, përparimin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka udhëtuar të premten për në Berlin të Gjermanisë së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë.

Ndërsa, të dielën kreu i ekzekutivit do të takojë pjesëtarë të mërgatës së Kosovës në Gjermani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore