Kosova

Kurti mbështet partinë e Gjukanoviç-it: Të qëndrojmë pranë atyre që besojnë se e ardhmja qëndron në luftën kundër shovinizmit


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë mbështetje Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) – partia e ish-presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç – në konferencën zgjedhore komunale të DPS-së që u mbajt të enjten në Podgoricë.

Përmes një video-adresimi, që është publikuar nga DPS-ja në platformën X, Kurti i ka uruar punë të mbarë, duke theksuar se konferenca të cilën ishin duke e mbajtur, duhet të konfirmojë karakterin evropian, civil dhe progresiv, si dhe rrugën e drejtë.

“Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë atyre që besojnë se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, drejt të cilit po ndërtojmë ura së bashku bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mirëqenien e qytetarëve tanë, sigurinë e Atlantikut të Veriut, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe luftën kundër nacionalizmit ekstrem dhe shovinizmit që tenton të na kthejë në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka dhënë mbështetje në emër të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka ideologji të njëjtë me DPS-në, të majtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore