Kosova

Kurti: Masat e Vuçiç-it janë bërë nga dëshpërimi, s’janë aspak paqësore


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se masat dhe kërkesat Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj Kosovës, që u shpallën të premten, janë bërë nga dëshpërimi dhe paraqesin joracionalitet.

Këto komente, Kurti i ka bërë gjatë një prononcimi për gazetarë, disa ditë pasi që Vuçiç shpalli të ashtuquajturat masa gjoja për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

Para se të flitet për masat e kërkesat e Vuçiç-it, kryeministri kërkoi që të flitet për kushtet që ai i kishte vënë para disa muajsh për vazhdimin e dialogut.

“Janë dorëzimi autoriteteve të Kosovës i Milan Radojiçiç-it, nënshkrimi i marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres [Ana] Brnabiç, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës as ulën në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial”, ripërsëriti Kurti kushtet e tij.

Pra këto tri kushte, në prizmin e tij, janë paqësore dhe racionale, ndërkaq ato kërkesat e Vuçiç-it “masat që bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë as në rajonin”.

Cilat janë kërkesat e Vuçiç-it?

1) Thirrja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe kontrollin e BE-së;

2) Zbatimi i nenit 9 të Marrëveshjes së parë të Brukselit përmes kthimit kolektiv të serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Veri;

3) Kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksione gjyqësore;

4) Tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara ilegalisht në veri të Kosovës, si dhe tërheqjen e tyre nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e tyre të paligjshme në vitin 2024;

5) Formimi urgjent, urgjent dhe përfundimtar i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa shaka dhe lojëra të mëtejshme politike, na është e qartë se për 12 vjet ishte vetëm një lojë për të blerë kohë, me qëllim që Asociacioni të mos formohet kurrë dhe kjo me këtë i anulon të gjitha të drejtat e serbëve. Kjo konkretisht nënkupton miratimin e draftit përfundimtar të statutit të Asociacionit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Ekipit Menaxhues, nga përfaqësuesit e komunitetit serb në veri të Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike;

6) Zbatimi i menjëhershëm i garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë që u arrestuan nga Policia e Kosovës për aktivizmin e tyre demokratik, qytetar apo politik – dhe veçanërisht të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta/barrikada paqësore;

7) Mundësimi i menjëhershëm i transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare.

“Për okupimin s’kemi marrë vendim akoma” – Vuçiç prezanton 5 “lëvizjet e reja” në raport me Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore