Kosova

Kurti kërkon zbatimin e Marrëveshjes Bazë pa vonesa: Në thelb të saj është së paku njohja reciproke


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ka thënë se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit duhet të zbatohet pa vonesa, derisa ka shtuar se kjo dakordancë mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të shkelet, meqë në thelb të saj është njohja reciproke.

“Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje në rrugën për normalizim të marrëdhënieve, kjo marrëveshje quhet Marrëveshja Bazike nga shkurti i vitit të kaluar, që e ka edhe aneksin e zbatimit nga dakordimi në Ohër dhe ajo duhet bërë është të respektohet e të mos shkelet. Në thelb të asaj marrëveshje është së paku njohja reciproke de-facto”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai ka theksuar se në drekën e shtuar të enjten nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka përsëritur kërkesat e vazhdueshme të Kosovës, teksa ka treguar se nga mjetet e ndara për rajonin e Ballkanit Perëndimor, pret që edhe Kosova ta marrë pjesën që i takon.

“Ne jemi shumë të kënaqur që plani i rritjes i dedikohet të gjitha shteteve të Ballkanit, ku edhe Kosova do ta marrë pjesën e saj. Jemi të kënaqur që BE-ja e ka rikthyer temën e zgjerimit në tryezë. Janë gjithsej 6 miliardë të ndara për rajonin tonë ku Kosova besoj që do të marrë së paku atë që i takon për nga madhësia dhe puna që kemi bërë”, shtoi kreu i ekzekutivit kosovar.

Po ashtu Kurti ka kërkuar Ursula von der Leyen, që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi sipas tij janë “të padrejta”. Përveç kësaj, ai gjatë vizitës së tij në kryeqendrën evropiane ka kërkuar që aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian të trajtohet.

“Kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i ka mbledhur këtë të enjte liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel për planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore