Kosova

Kurti kërkon falje për gabimin në matematikë: Jam i gëzuar që s’isha unë nxënësi, s’do të merrja notë kaluese


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar falje për gabimin e bërë në zgjidhjen e një ekuacioni të thjeshtë matematikor gjatë inaugurimit të një shkolle fillore në Podujevë të mërkurën, duke shtuar se “jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese”.

“Të dashur nxënës, ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese”, ka shkruar Kurti.

Gjatë inaugurimit të shkollës fillore “Ali Hadri” në Podujevë, kreu i ekzekutivit kosovar – i cili ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës – brenda një klase u përpoq të zgjidhte një problem matematikor, përkatësisht një ekuacion me një të panjohur (X).

“Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje”, ka përfunduar shefi i Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore