Kosova

Kurti ia shpreh dy shqetësime NATO-s: Mungesën e qartësisë për rrëmbimin e policëve dhe kontrabandën e armëve në veri


Albin Kurti dhe Thomas Goffus

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim Ndihmës-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, me të cilin ka diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra për media pas takimin, falënderoi zyrtarin e lartë për rolin e domosdoshëm të NATO-s në çlirimin dhe sigurinë e Kosovës, ndërsa ka ngritur shqetësimin për mungesën qartësisë nga KFOR-i për kidnapimin e tre policëve kosovarë nga autoritetet e Serbisë.

“Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti ngriti edhe shqetësimin për alarmin e ngritur nga deputetja britanike, Alicia Kearns, se në kishat ortodokse serbe në Kosovë është kontrabanduar armatim nga Serbia përmes ambulancave në pjesën veriore të Kosovës.

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, në një konferencë për media të mëkurën në Prishtinë, ka thënë se mos-gatishmëria e Kosovës dhe Serbisë për t’iu përmbajtur planit trepikësh të Bashkimit Evropian për de-eskalim në veri të Kosovës, ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Goffus, i cili të mërkurën zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës, iu ka bërë thirrje palëve që të respektojnë Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksin e Ohrit (18 mars).

“Jam këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë përparim nga Prishtina e Beogradi për deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Nga ngjarjet e fundit, kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme”.

“Është një çështje urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për qetësimin e situatës, të bisedojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet. Askush nuk duhet të tentojë një konflikt të ri në Evropë”, ka thënë Goffus para gazetarëve të pranishëm.

Një ushtar i KFOR-it që ka pritur ekipin e “SonttagsBlick” në aeroportin e Prishtinës ka thënë se mbi 90 paqeruajtës të KFOR-it kanë mbetur të lënduar nga protestat e dhunshme në Zveçan më 29 maj, të cilët, sipas gazetës zvicerane, janë shprehur të mërzitur me politikanët që i kanë ekspozuar ndaj rreziqeve.

Nuk mund të zbuten e as të fshihen sekuencat televizive të fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, sulmet e fyerjet ndaj gazetarëve kosovarë dhe simbolet nacionaliste serbe bashkë me ato ushtarake të propagandës ruse.

Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore