Kosova

Kurti i kërkon Serbisë t’i hapë arkivat e ushtrisë: S’ka kufomë, s’ka krim – kjo është strategjia e tyre për fshehjen e krimeve


Albin Kurti

“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, teksa ka shtuar se “kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtar politik të Millosheviçit në Beograd”.

Po ashtu Kurti ka ripërsëritur kërkesën e tij ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, teksa ka treguar se tashmë qeveria që ai drejton ka nisur disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së brigadës së 37 të ushtrisë jugosllave.

“Ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë për hapjen e arkivave në Serbi. Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit 2023 në Bruksel tashmë kemi nisur disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së brigadës së 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, shtoi.

“Këtë javë pas shumë përpjekjeve dhe angazhimeve te komisioni ynë qeveritar kanë filluar përgatitjet për lokacionin në Kozhle mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi, e shpresojmë që kjo nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve të lokacioneve të tjera”.

Ai ka potencuar se Qeveria është e përkushtuar për të mos u ndalur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës dhe të vërtetën për mbi 1 mijë personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur/zhdukur me dhunë vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore