Kosova

Kurti i dërgon letër urimi Ylfete Fanajt, e fton për vizitë në Kosovë


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi kosovares, Ylfete Fanaj, e cila është me prejardhje nga Prizreni, dhe së fundmi është zgjedhur Këshilltare Qeveritare në Lucern të Zvicrës.

“Duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme, kryeministri Kurti shtoi se posti që mban sot është i pari për një person me rrënjë nga Kosova dhe kështu shënohet edhe moment historik për komunitetin e shqiptarëve në Zvicër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Ndërkaq, në njoftim bëhet me dije që kryeministri Kurti i ka kërkuar nga Fanaj “që teksa i shton përgjegjësitë si Këshilltare e Qeverisë, ta kujtojë përherë se i mban me vete shpresat dhe aspiratat e Kosovës”.

Ylfete Fanaj

“Nuk kemi asnjë dyshim se do të nxirrni ekspertizën, përkushtimin dhe pasionin tuaj për t’i shërbyer qytetarëve të Lucernit me integritetin maksimal”, thuhet në letrën e Kurtit.

Gjithashtu, në letrën e tij kreu i ekzekutivit kosovar e ka ftuar atë për një vizitë në Kosovë, “për të biseduar për bashkëpunim të mëtejshëm”.

Ndryshe, Ylfete Fanaj, e cila është kosovarja e parë deputete në Parlamentin e Kantonit të Luzernit dhe ministrja e parë në qeverinë kantonale të Luzernit, të dielën ka marrë mesazh urimi edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ajo është frymëzim për gratë dhe vajzat kosovare.

“Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive”, thuhet në deklaratën e presidentes Osmani.

Yltene Fanaj është zgjedhur ministre kantonale në Luzern, duke u regjistruar si shqiptarja me postin më të lartë ekzekutiv në Zvicër. Partia Socialdemokrate, ku bën pjesë edhe Fanaj, u kthye në pushtet pas tetë vjetësh, ndërsa ajo i fitoi mbi 45 mijë vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore