Kosova

Kurti fton mërgatën për t’u regjistruar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videomesazhi të dielën u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen.

“Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun. Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës”, tha Kurti.

“Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, shtoi.

Sipas Kurtit, regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh, derisa ka potencuar se “të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”.

“Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush”.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 600 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës. Megjithatë, regjistrimi për këtë pjesë është i hapur deri me 31 gusht.

Në regjistrimin e fundit të mbajtur këtë vit, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore