Kosova

Kurti e Vuçiç në Bruksel – jo për dialog, por për milionat e BE-së


Albin Kurti

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do t’i mbledhë këtë të enjte liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel për planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027 – ndërsa pjesëmarrjen e kanë konfirmuar tashmë të gjashtë udhëheqësit rajonalë.

Përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në ngjarje marrin pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski, kryeministri malazez, Millojko Spajiç, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Krishto, ku do të diskutojnë rreth agjendave të reformave.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur kohë deri më 25 gusht 2024 që t’i dorëzojnë agjendat e reformave për të përfituar pagesat e para nga pakoja investuese e Bashkimit Evropian (BE) për rajonin, që ka hyrë në fuqi më 25 maj 2024. Këtë e kanë bërë tashmë të gjashtë shtetet ballkanike. Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani.

Kosova ka dorëzuar në maj draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes. E vendi i vogël ballkanik pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 900 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve.

Fondet e Planit të Rritjes do të ndahen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të shteteve në Ballkanin Perëndimor, pas verifikimit dhe konfirmimit nga komiteti i posaçëm i KE-së se janë përmbushur kushtet përkatëse, veçanërisht në lidhje me stabilitetin makrofinanciar të vendit, menaxhimin e mirë të financave publike, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023).

E krahas Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës,dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e BE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja – Ukrainën dhe Moldavinë. Në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun 27-shtetesh.

Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore