Kosova

Kurti e “keqlexoi” realitetin politik, Kosova dështoi ta kapitalizojë Banjën në arenën ndërkombëtare


Foto nga Albanian Post

Moskapitalizimi diplomatik i fitores së jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në terren, kur arriti që me sukses të plotë ta zmbrapsë grupin terrorist që mësyu Kosovën, i financuar nga Serbia, me qëllim përfundimtar aneksimin e Veriut – ashtu siç e tha edhe Prokuroria në aktakuzën për Banjën – nga njohës të çështjeve politike e akterë opozitarë po konsiderohet si dështim i kësaj elite politike që aktualisht udhëheqë me vendin.

Krerët e institucioneve të Kosovës, përkatësisht kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani e Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishin thënë se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë njëjtë, ashtu sikur të mos të ketë ndodhur asgjë, derisa kishin insistuar që Beogradi zyrtar të sanksionohet nga ndërkombëtarët.

Në fakt, kur po bëhen një vit nga sulmi terrorist, është e kundërta e asaj që e kanë deklaruar krerët e shtetit. Kosova, edhe pas kësaj ngjarje, vazhdon që të jetë nën sanksione të Bashkimit Evropian, ka dështuar që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ndërsa nga ana tjetër Serbia ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme me BE-në, si ajo për litiumin serb, por edhe me Francën për blerjen e avionëve ushtarakë “Rafale”.

Dikur bashkëpartiak i kryeministrit Kurti, si një nga zërat më kritik të kësaj qeverie, Visar Ymeri, në një bisedë për Albanian Post, për tërë situatën aspak të favorshme ku gjendet aktualisht Kosova, e fajëson kreun e ekzekutivit.

Në prizmin e Ymerit, Kurti e ka “një keqlexim flagrant” të realitetit politik në rajon e atij gjeopolitik në botë.

Për të argumentuar këtë, Ymeri përmend faktin se pas sulmit terrorist, Kosova, përkatësisht Kurti, kishte pranuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – për herë të parë në histori që kur flitet për këtë mekanizëm.

“Dhe më pastaj e ka marrë vendimin për dinarin që e ka zhvendos kritikën e presionin prapë të Kosova duke u cilësuar për herë të parë si shtet që nuk kujdeset për të drejtat e komunitetit jo shumicë”, rikujton ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Prandaj, ish-deputeti mendon që ky cilësim për Kosovën “është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe na vendos në një pozitë kogja problematike”.

Megjithatë, Banja nuk është që nuk ka krijuar rezultat pozitiv për Kosovën, potencon Ymeri.

“Të mos harrojmë që deri në shtator të vitit të kaluar Kosova ka qenë duke u parë si pengesa e vetme ndaj progresit në dialog. Banja i ka kthyer edhe një herë sytë perëndimorë kah problemi kryesor e që është Beogradi zyrtar”, shtoi.

Mirëpo, ai konsideron se pritjet tona karshi sjelljes së perëndimorëve, karshi marrëdhënies Kosovë-Serbi “janë kryesisht të ndikuara nga një kohë e cila nuk është më”.

“Sot procesi i paqes dhe integrimit të rajonit e ka Serbinë brenda si shtet të rëndësishëm”.

Pas fitores së Policisë së Kosovës në terren ndaj grupit terrorist në Banjë të Zveçanit, institucionet kosovare duhej të tregonin zhdërvjelltësi diplomatike për të përmbysur rrëfimin e “Kosovës dekstruktive në dialog” dhe shpërfaqur atë të “Serbisë sulmuese e terroriste”.

Aktualisht, përkundër se akti terrorist është dënuar nga të gjitha vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, Kosova nuk gjendet në pozitë të favorshme ndërkombëtare.

Ndaj saj, vazhdojnë të rëndojnë masat ndëshkuese, të cilat ishin vendosur si pasojë e veprimeve të qeverisë në Veri, derisa nga ana tjetër, përkundër se Kosova ka kërkuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë për shkak të sulmit terrorist, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Madje, edhe formati i dialogut, të cilin kërkonin që ta ndryshonin, vazhdon të mbetet i njëjtë, me vendet perëndimore janë duke kërkuar që të vazhdohen marrëveshjet e nënshkruara më herët, ndër të cilat edhe ajo më diskutabilja, Asociacioni.

Në leximin e kësaj situate, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, konsideron se lidershipi aktual i Kosovës, duke u përqendruar në beteja të vogla e simbolike, “e ka humbur një betejë e cila në start ka qenë e fituar”.

“Lidership infantil e aventurier, i cili një grusht vota e një copëz fitore të përkohshme i sheh me të rëndësishme se interesat strategjike të vendit”, thotë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Lidership i cili, sipas Çitakut, sukses të vetëm “ka unifikimin e aleatëve tanë jo për ta ndihmuar, por për ta ndëshkuar Kosovën”.

Çka kishte ndodhur në Banjë të Zveçanit?

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit të vitit të kaluar, një grup terroristësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, kishin sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe.

Nga ky sulm kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Kosova, për këtë sulm, e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa, duke qenë se terroristët, posaçërisht kreu i tyre Radojiçiç ka lidhje të ngushta dhe është njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga ky akt terrorist, madje ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar njëzëri në termat më të ashpër këtë akt, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Ndryshe, më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

“Tentuan ta shkëpusin Veriun nga Kosova e t’ia bashkojnë Serbisë” – aktakuza e Speciales për Radojiçiç-in me bashkëpunëtorë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore