Kosova

Kurti, Borrell e Lajçak diskutojnë për të ardhmen e dialogut me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.

“Në kuadër të vizitës në Bruksel, për mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Kryeministri Kurti, në takim me Borrell dhe Lajçak, diskutuan mbi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmen e tij”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Në këtë takim të përbashkët me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Kurti ri-konfirmoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për agjendën evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Po ashtu, në njoftim theksohet se është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak

Ndërkaq, Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se gjatë takimit bashkë me Kurtin diskutuan për reformat në drejtësi dhe zbatimin e planit ekonomik.

“Me kryeministrin Kurti përpara takimit të sotëm të Këshillit të Stabilizim-Asociimit të BE-së për Kosovën, diskutuam rëndësinë e zbatimit të shpejt të Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, punën e vazhdueshme për reformat, përfshirë reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar”, ka shkruar Varhelyi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore