Kosova

“Kurti anti-amerikan që ka dëmtuar, ndëshkuar e izoluar Kosovën”, thotë Tahiri


Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, ka konsideruar se Kosova është e dëmtuar nga qeverisja e Albin Kurtit, madje “e izoluar plotësisht”, derisa kryeministrin e ka cilësuar si “anti-amerikan”.

“Kosova është shumë e dëmtuar nga kjo Qeveri, e izoluar plotësisht. Nuk ka ndodhë asnjë vizitë e lartë prej shteteve të rëndësishme në Kosovë prej janarit. Kryeministri jonë fare s’ka bërë vizita zyrtare jashtë Kosovës. Kosova mbeti pa hyrë në KiE”, tha Tahiri në një intervistë për “RTVKlan”.

“Jemi të izoluar”, potencoi ajo, “të ndëshkuar, të sulmuar dhe ende vazhdojnë lojërat e propagandat për lojërat e vogla në Veri”.

“Ai çon ekipe për urën në Veri ndërkohë që para 6 vitesh BE-ja e ka kryer restaurimin, pastaj lëshon këto deklaratat se e hap urën se është e drejtë, natyrisht që duhet të reagojë ambasadori amerikan”, shtoi.

Situata, sipas Tahirit, “është jo e mirë, por demokracia e ka rotacionin politik”.

“Në shkurt janë zgjedhjet, ky ka pas shanse të qëndrojë edhe disa mandate, por e dështoi Kosovën. Shpresojmë që ky rotacion do ta heqë Kurtin”, pohoi.

Tahiri ka rrëfyer edhe për ftesën që ka pasur nga kryeministri Kurti për t’u bërë pjesë e ekipit të dialogut me Serbinë, të cilën tregon se e ka refuzuar.

“Tek rasti i Kurtit kur ma çoi një emisar për t’u bërë pjesë në negociata, i thashë kundër jam me bashkëpunu me Kurtin politikisht sepse s’merremi vesh, ai ka ideologji lindore, unë jam perëndimore, ai anti-amerikan unë jam proamerikane”, deklaroi ajo ndër të tjera.

Përgjatë mandatit qeverisës, Kurti është kritikuar mjaft shumë nga SHBA-të, posaçërisht sa i përket veprimeve në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – për shkak, siç kanë thënë zyrtarët e lartë amerikanë, moskoordinimit me ta.

Vendet perëndimore, përfshirë këtu SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, kanë pasur kritika të ashpra – më shumë se kurrë më parë – ndaj Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Kurti, madje Unioni ka vendosur edhe masa ndëshkuese, të cilat vazhdojnë që të jenë aktive për më shumë se një vit.

Në këtë drejtim, edhe takimet e Kurtit me liderë apo zyrtarë të lartë të vendeve perëndimore kanë qenë më të pakta.

Hoti për AP: Askush në perëndim s’i beson Kurtit, është fatkeqësi për popullin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore