Shqipëria

Kumbaro: Përgjegjësinë e parë për menaxhimin e mbetjeve e ka bashkia


Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas lajmit të gjobitjes së kryebashkiakut të Malësisë së Madhe për ndotjen e jashtëligjshme në Razëm.

“Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta në mbrojtje të mjedisit”, ka shkruar Kumbaro në një postim në platformën Twitter.

Kryebashkiaku Tonin Marinaj është gjobitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) me shumën 500 mijë lekë.

Gjoba ka ardhur fill pas inspektimeve të AKM-së në terren, ku janë konstatuar sasi të mëdha mbetjesh të hedhura në territorin e Razmës.

Sipas ministres, për keqmenaxhimin e bërë, përgjegjësia e parë i takon bashkisë.

“Me ligj e me moral, me përgjegjësi politike dhe qytetare, përgjegjësinë e parë për menaxhimin e mbetjeve e ka Bashkia”, ka ravijëzuar ajo.

Gjoba ndaj tij parashikohet nga ligji “Për menaxhimin e mbetjeve”, i cili është miratuar në vitin 2011. Mirëpo, sanksioni që ndëshkon direkt titullarin më të lartë të bashkisë nuk është aplikuar ndonjëherë.

Pas shpalljes nga qeveria të çështjeve mjedisore si prioritet, gjoba ndaj tij e kthen atë në kryetarin e parë të bashkisë që ndëshkohet për keqmenaxhimin e mbetjeve.

“Votohemi që t’u dalim për zot këtyre përgjegjësive”, ka përmbyllur Kumbaro reagimin e saj në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore