Kosova

Kryetari i PDK-së kërkon nga aleatët e Kosovës që të reagojnë ndaj qasjes së Serbisë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-së dhe partnerëve strategjikë që të reagojnë urgjentisht ndaj qasjes së Serbisë, që sipas tij, përbën kërcënim të hapur ndaj sovranitetit të Kosovës.

Krasniqi i ka dënuar ashpër dy sulmet që kanë ndodhur në Zubin Potok dhe Zveçan.

“Sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës”.

“Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Ai ka potencuar se në përgjegjësinë e qeverisjes, është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme.

“Por vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë”.

Ndërsa ka shtuar se shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri.

“Rruga për jetësimin e shtetit ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme. Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike”.

“Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar”, ka shkruar ai.

Krasniqi e ka bërë të qartë se është me mendje e zemër me policët e Republikës së Kosovës, të cilët, “në një situatë aspak të lehtë dhe shqetësuese për sigurinë e tyre, për të gjashtën ditë me radhë po qëndrojnë në krye të detyrës, në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje”.

Të shtunën, më 25 shtator, në Kosovë kanë ndodhur dy sulme në komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Sipas, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti djegëja e këtyre qendrave ishte e qëllimshme.

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore