Lajme

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan: Ballkani mund të jetë objektivi i ardhshëm i Putin-it


Kongresi Amerikan

Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, ka thënë se objektivi i ardhshëm i Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, mund të jetë Ballkani Perëndimor.

Këto komente, Johnson i ka bërë para gazetarëve të mërkurën në mbrëmje, ku foli për çështjen e votimit për ndihmat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të ndajnë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, ku gjithashtu përmendi rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Johnson, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ai rus Putin dhe Irani janë “boshti i së keqes”.

“Unë mendoj se Putin do të vazhdonte të marshonte nëpër Evropë nëse do t’i lejohej. Unë mendoj se ai mund të shkojë në Ballkan herën tjetër. Unë mendoj se ai mund të ketë një përballje me Poloninë ose një nga aleatët tanë të NATO-s”, ka deklaruar Johnson, transmeton “Oslobodenja”.

Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Ai shtoi se “më mirë do të dërgonte plumba në Ukrainë sesa djemtë amerikanë”.

“Djali im do të fillojë Akademinë Detare këtë vjeshtë. Kjo është një stërvitje me municion të vërtetë për mua ashtu si është për shumë familje amerikane”, potencoi.

Johnson këmbënguli se do të “merrte një rrezik personal” duke ecur përpara me planet për të votuar në Dhomën e Përfaqësuesve për ndihmën e huaj për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pasi republikanët e tjerë vazhdojnë t’i bëjnë thirrje atij të largohet nga posti i kryetarit.

Kur u pyet nga gazetarët se pse ai ishte i gatshëm të humbiste punën e tij vetëm për të siguruar planin e ndihmës, Johnson u përgjigj se ai gjithmonë përpiqet të bëjë gjënë e duhur.

“Filozofia ime është të bëj gjënë e duhur. Nëse veproj vetëm nga frika e sugjerimit që të më largojnë, nuk mund ta bëj kurrë punën time”, pohoi Johnson, teksa shtoi se “historia na gjykon për shkak të asaj që bëjmë”.

“Kjo është një kohë kritike, një kohë kritike në skenën botërore. Unë mund të marr një vendim egoist dhe të bëj diçka ndryshe, por këtu po bëj atë që besoj se është gjëja e duhur. Mendoj se ofrimi i ndihmës juridike për Ukrainën tani është i një rëndësie kyçe”.

Ndërsa, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, të mërkurën gjithashtu ka dhënë mbështetje të fortë për planin e Johnson-it për të ofruar fonde shtesë për Ukrainën dhe Izraelin.

Votimi për paketën e ndihmës pritet që të bëhet mbrëmjen e së shtunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore