Kosova

Kryeministri nuk tregon fare që i erdhi propozimi me ndryshime nga Lajçak-u


Foto nga Albanian Post: Miroslav Lajcak dhe Alibin Kurti

Mos-informimi i mediave është kthyer në rregull të Qeverisë së Kosovës.

Po të mos ishte Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të treguar se propozimit të ashtuquajtur franko-gjerman i janë bërë disa modifikime dhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, e ka sjellur këtë të martë në Prishtinë, askush nuk do ta dinte.

Në komunikatën e lëshuar për media nga Qeveria e Kosovës, pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me Lajçak-un, askund nuk thuhet se erdhi propozimi me shtesat e reja.

“Mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit”, thuhet në komunikatë, por pa u përmendur se ka nuanca të reja në propozim.

Pjesa tjetër e njoftimit zyrtar për media është krejtësisht formale, me falënderime për Lajçak-un, për “angazhimin e tij në dialog”.

Kurti “njoftoi Lajçak-un që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në këtë njoftim.

Por, ishte Borrell që tregoi se teksti i propozimit franko-gjerman që fillimisht e publikoi Albanian Post me 18 shtator ka marrë nuanca të reja dhe ndërhyrjet e fundit në tekst janë prezantuar të hënën në Beograd dhe të martën në Prishtinë.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë”, sqaroi Borrell.

“Tani ata duhet të angazhohen në diskutime serioze dhe të vazhdojnë në këtë momentum që prezanton një mundësi të madhe”, shtoi ai.

Sa për çështje që krijuan ngërç, siç ishte ajo e targave, deklaroi se janë tejkaluar.

“Sa i përket dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit ky është një moment i rëndësishëm. Çështja për targa ka përfunduar, tani ata duhet të angazhohen, të angazhohen më të vërtetë, në dialog me propozimin që u kemi vënë në tavolinë si lehtësues me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës”, tha Borrell.

Qeveria e Kosovës nuk kishte njoftuar asnjëherë zyrtarisht për propozimin franko-gjerman.

Madje, kur Albanian Post e publikoi fillimisht, një pjesë e qeverise e kishte mohuar ekzistencën e një propozimi të tillë.

Më vonë Kurti tha se ekziston një nismë por gjithçka akoma “është e lëngëzuar” dhe vetëm pasi u pranua gjerësisht se ka një propozim konkret, eksponentë të pushtetit filluan ta pranojnë.

Por, detajet se çfarë përmban ky dokument, nuk u prezantuan as pas këtij pranimi.

I vetmi që kishte folur më në detaje për të, ishte Ramush Haradinaj, politikani opozitar, i cili pati thënë se dokumentin ia ka tregtuar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore