Lajme

Kryeministri francez paralajmëron për një situatë “shumë të rëndë” financiare


Franca u vendos në një procedurë zyrtare për shkeljen e rregullave buxhetore të Bashkimit Evropian përpara se Michel Barnier të zgjidhej si kreu i qeverisë këtë muaj nga Presidenti Emmanuel Macron.

Deficiti i sektorit publik të Francës parashikohet të arrijë rreth 5.6 për qind të PBB-së këtë vit dhe të shkojë mbi gjashtë për qind në 2025, që krahasohet me rregullat e BE-së që kërkojnë një tavan prej tre për qind të deficitit.

“Po zbuloj se situata buxhetore e vendit është shumë serioze”, pohoi Barnier në një deklaratë për AFP. “Kjo situatë kërkon më shumë se thjesht deklarata të bukura. Ajo kërkon veprim të përgjegjshëm”.

Kryeministri, i cili ende nuk ka emëruar një kabinet, është planifikuar të paraqesë në parlament buxhetin e vitit 2025 muajin e ardhshëm, në atë që pritet të jetë testi i parë i madh për administratën e re.

Guvernatori i bankës qendrore të Francës, Francois Villeroy de Galhau, deklaroi gjatë javës se objektivi ishte “jo realist” nëse qeveria nuk ishte e gatshme të rrezikonte “ndalimin e rritjes në gjurmët e saj”.

Me sa duket duke mbështetur qasjen e Barnier, Villeroy de Galhau bëri thirrje për një “përpjekje të jashtëzakonshme dhe të arsyeshme të kërkuar nga disa kompani të mëdha dhe taksapaguesit e pasur” për të ndihmuar në rimëkëmbjen e financave.

Franca, tha ai, nuk mund të përballojë më ulje taksash “të pafinancuara”.

Por politikat më të shtrënguara fiskale mund ta vendosin Barnier-in në një kurs përplasjeje me Macron, i cili emëroi politikanin me përvojë, me shpresën se ai mund t’i mbijetojë një votimi të hershëm mosbesimi në parlament.

Marrë dhe përshtatur nga AFP për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore