Kosova

Kryeministër energjia elektrike në Kosovë nuk është lirë – është shumë shtrenjtë madje, më e shtrenjta


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me një theks kritike për qytetarët e Kosovës, të hënën theksoi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se “kriza energjetike po na troket në derë dhe se Kosova po blen shtrenjtë rrymë dhe po ua shet atë shumë lirë qytetarëve”.

Por, në fakt çmimi i rrymës në Kosovë është më lirë se në vendet tjera vetëm në aspektin nominal, pasi, siç shpjegon ekonomisti Erton Bega për Albanian Post, “energjia elektrike qytetarëve të Kosovës ju merr përqindje më të madhe nga të ardhurat e tyre se sa në shtetet tjera të Evropës”.

“Kryeministri ka të drejtë kur thotë që çmimi i energjisë elektrike është i lirë në aspektin nominal pasi çmimi për kilovat është rreth 7 cent, por nëse këtë e krahasojmë me të ardhurat mesatare për kokë banori, atëherë vijmë në konkluzionin tjetër që energjia elektrike qytetarëve të Kosovës ju merr përqindje më të madhe nga të ardhurat e tyre se sa në shtetet tjera të Evropës”.

“Pra në një krahasim sipërfaqësor çmimi mund të duket i lirë por realisht dëmton xhepin e konsumatorit më shumë se kudo në Evropë, nëse krahasohet me situatën socio-ekonomike në vend”, thotë Bega.

Edhe sipas të dhënave të Eurostat-it, del se kosovarët paguajnë më së liri energjinë elektrike.

Shtatë cent për kilovat/orë kushton në Kosovë, ndërkaq më shtrenjti rryma në Evropë kushton në Gjermani, 30 cent për kilovat/orë.

Por, ndryshe nga vendet e Bashkimit Evropian ku paga mesatare është mbi tre mijë euro në Kosovë është 340 euro.

Kurti ka kritikuar edhe mënyrën se si po shpenzohet energjia elektrike, paçka se ai e di që në Kosovë nuk ka forma alternative të ngrohjes dhe qytetarët kryesisht gjatë dimrit përdorin rrymë për nxehje.

“Konsumi është tejet i madh”, deklaroi ai.

Këto deklarime i ka quajtur arrogancë të pushtetit dhe tallje me qytetarin deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

“Kjo është arroganca e pushtetit ndaj qytetarëve në situatën më të rëndë ekonomike që ndodhet vend, pasi qytetarët s’kanë alternativë tjetër për ngrohje”.

Shala thekson se të njëjtat institucionet që kanë menaxhuar atëherë janë edhe tash, “por sipas Kurtit kanë çmimet më të lira”.

“Është diçka që nuk e meritojnë qytetarët e vendit në fund të vitit, që të kërcënohen dhe të shantazhohen me ngritje çmimesh dhe tallje”.

Ferat Shala

Sipas tij, kjo është një fryrje për faktin që deri dje po i njëjti person kishte proklamuar që janë çmime të larta dhe kishte sulmuar qeveritë para tij për manipulime me çmimet dhe faturimin”.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se kjo qasje e Kurtit nuk i bën mirë demokracisë.

“Arroganca e pushtetit nuk i bën nder demokracisë të një shteti që pretendon për të qenë në familjen evropiane, prandaj duhet më shumë solidaritet dhe maturi politike”, potencoi Gërxhaliu.

“Çmimi është i ulët, por Kosova e ka gjendjen më të keq se vendet e tjera evropiane”.

Ai mendon se institucionet janë në njëfarë agonie sa i përket gjetjes së një modaliteti për të mbështetur qytetarët dhe bizneset, tani kur vendi po përballet me krizë energjetike.

“Derisa hedhet faji të tjerët duhet të përgatitemi për ti ndihmuar qytetarët dhe bizneset dhe dua të besoj që e tëra kjo të jetë kalimtare, prandaj gjërat është më mirë të evitohen se sa të shërohen”.

Safet Gërxhaliu

Veç Kurtit, edhe ministrja e tij Artane Rizvanolli, në një paraqitje para komisionit parlamentare të martën, është ankuar se ka shumë kërkesë e pak mundësi për të blerë rrymë. Ajo ka paralajmëruar gjendje të jashtëzakonshme po ashtu.

Ministrja e Ekonomisë, pati kërkuar edhe para disa kohësh nga qytetarët që të kenë kujdes si e harxhojnë energjinë elektrike.

Derisa qeveria gjatë të martës ka publikuar edhe një buletin ku tenton edukimin e konsumatorit. Një nga këshillat në buletin është: “ndale ditën kur del nga dhoma”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore