Kosova

Kritikat e SHBA-së, Osmani: Ka mospajtim për qasjen, por jo për qëllimin final


Vjosa Osmani

Për Vjosa Osmanin, Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka mospajtime për qasjen, por kurrë për qëllimin final, ndonëse Uashingtoni është duke e kritikuar si kurrë më parë Prishtinën, posaçërisht sa i përket veprimeve të fundit në Veri.

Këto komente, Osmani i ka bërë në gjatë pjesëmarrjes si folëse në forumin global të sigurisë, “GLOBSEC 2024” në Pragë të Çekisë, të shtunën.

E para vendit theksoi se nuk ka asnjë mospajtim mbi faktin që edhe Kosova edhe SHBA-të duan një Kosovë që është sovrane, e pavarur, në kufijtë aktual të suksesshëm, prosperuese, shumetnikë, të ndërtuara mbi Kushtetutën e saj.

“Tani mund të dëgjojmë deklarata mos pajtimi midis zyrtarëve në ShBA dhe Qeverinë e Kosovës për disa prej qasjeve, por asnjëherë për sa i përket qëllimit përfundimtar apo vlerave fundamentale që ne i kemi të përbashkëta”, tha Osmani.

Por, presidentja shtoi se ndonjëherë qasja drejt ruajtjes ose mbajtjes së një Kosove demokratike, të fortë e të drejtë, mund të dallojë, “pra janë taktikat, nuancat”.

“Mund të ketë diferenca në këtë drejtim, por asnjëherë nuk ka pasur e as sot, nuk ka asnjë lloj mospajtimi mbi atë se çfarë lloj Kosove duam, cilat janë vlerat që janë vetë baza e marrëdhënies sonë dhe vet themeli i vendit tonë, dhe besoj se kur ky themel është i shëndosh, përkundër sfidave, të tjerat gjithsesi se mund të kalohen”, potencoi.

Ajo rikujtoi se marrëdhënia midis SHBA dhe Kosovës është diçka është ndërtuar ndër vite.

“Na janë gjetur përkrah në periudhën më të errët të vendit, për të shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja që ishte planifikuar ndaj popullit tonë. Ky ka qenë themeli i asaj çfarë kemi ndërtuar për 25 vjet me radhë, por që shkon edhe më larg se aq, sepse SHBA-të i kemi parë si lider të botës demokratike dhe liderët kanë qenë shumë të zëshëm në kuptimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë”, shtoi.

Osmani përmendi edhe faktin se 97 për qind e popullit të Kosovës i sheh SHBA-të si aleati më primar. “Më të vërtetë e vlerësojmë këtë marrëdhënie”.

Ndryshe, ShBA-të janë duke e kritikuar – si kurrë më parë – Kosovën viteve të fundit – që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të Qeverisë – posaçërisht sa i përket veprimeve në Veri të vendit.

Të premten, SHBA-të, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, kritikuan aksionin e Policisë së Kosovës në Veriun e banuar me shumicë serbe, ku mbyllën pesë (5) objekte të komunave paralele serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore