Kosova

Krasniqi thotë se s’ka institucione paralele të Serbisë më në Veri


Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka thënë se nuk ka informacione që ekziston më ndonjë institucion paralel i Serbisë në Veri të Kosovës.

Këto komente, Krasniqi i ka bërë në një intervistë për “Klan Kosova”, ku foli për situatën e sigurisë në Veri të vendit, ndërtimin e shtëpive të reja për familjet shqiptare në atë pjesë të vendit, por edhe për vizitën e së martës së tij dhe kryeministrit Albin Kurti në Veri, por edhe për çështje të tjera.

Ministri refuzoi që ta komentojë deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Kosovë se Qeveria po e instrumentalizon policinë, pas aksionit për mbylljen e objekteve të komunave paralele serbe në Veri, muajin e kaluar.

“Unë nuk mundem me komentu këtë deklaratë, por detyra ime është me e njoftu në këtë rast policinë për asistim për mbylljen e një institucioni joligjor. Nuk japim urdhra në Polici, ai është një agjencion ekzekutiv edhe këtë e ka mandat”, tha Krasniqi.

“Ne kemi mbyllur katër komuna paralele dhe qarkun e Mitrovicës – institucion ku kanë funksionuar disa institucione të tjera aty. Udhëheqës i këtij institucioni ka qenë edhe ish-deputeti Simiç”, shtoi.

Kështu që, sipas tij, janë pesë institucione vitale për veprimtarinë e tyre ilegale në vend që tashmë janë mbyll.

Ajo çfarë ministri mund të thotë në këtë situatë është se “nuk ka hapësirë për asnjë institucion paralel, joligjor, jokushtetues në Kosovë nga Serbia”.

Pas kësaj, Krasniqi u pyet nëse ka ende institucione paralele në Veri, gjë që e mohoi.

“Ka pasur një sërë të veprimeve edhe të mëhershme për mbylljen e institucioneve të tjera që nuk janë në domenin tim dhe nuk dua të flas. Por, për momentin nuk kam informacion për ndonjë institucion tjetër paralel në Veri të vendit”, potencoi.

Ndryshe, të martën, Krasniqi së bashku me Kurtin e Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan Veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Ata fillimisht vizituan disa shtëpi që janë duke u ndërtuar nga qeveria për familjet shqiptare që duan të kthehen në pronat e tyre – që janë shpërngulur dhunshëm nga aty – për të vënë gurthemelin e një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit dhe një shëtitje në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ku takuan edhe kreun e kësaj komune, Erden Atiq.

Mirëpo, vizita e tyre nuk kaloi pa incidente. Politikani serb nga Veriu, Aleksandër Arsenijeviç, u arrestua nga Policia e Kosovës, për shkak se fishëlleu me filikaq për të kundërshtuar vizitën e Kurtit dhe ministrave të tij në atë pjesë të vendit.

Arrestimi i Arsenijeviç-it u kritikua ashpër nga shoqëria civile, duke e konsideruar si të papranueshëm e të paligjshëm një veprim të tillë nga ana e autoriteteve të rendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore