Kosova

Krasniqi: Ka edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në Veri


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjatë një konference për media ka thënë se në tri komunat veriore, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok kanë mbetur edhe dy javë afat për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve, ndërsa në Zveçan edhe pesë ditë më shumë, pasi sipas tij, kryesuesja e Kuvendit nuk e ka procesuar tek KQZ-ja kërkesën e qytetarëve.

“Tashmë qytetarët kanë iniciuar kërkesën e tyre të parë dhe janë proces të mbledhjes së nënshkrimeve, së paku aspekti i Qeverisë i përgjegjësive nga niveli lokal dhe të gjitha obligimet që i kemi pas janë përmbushur dhe tashmë i kemi katër grupe të qytetarëve që janë autorizuar për të mbledhur nënshkrimet”, tha Krasniqi.

“Nga informacionet që i kemi nga kryesuesit e kuvendeve, Mitrovicës së Veriut, Leposavqit dhe Zubin Potukut më datën 22 dhjetor janë takuar me qytetarët të cilët kanë iniciuar këtë proces dhe janë autorizuar që nga data 22 dhjetor fillojnë që të rrjedhin këto afate me udhëzimin administrativ, ndërsa për komunën e Zveçanit kemi një situatë tjetër ku kryesuesja e Kuvendit nuk e ka procesuar tek KQZ-ja kërkesën e qytetarëve”, shtoi ai.

Ai ka theksuar se udhëzimi administrativ ka qenë argumenti kryesor që Kosova është palë konstruktive, derisa Serbia ka kryer sulm terrorist në Banjë të Zveçanit vitin e kaluar.

“Si Kosovë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet për të përmbushur obligimet tona. Udhëzimi Administrativ është hapi konkret i cili na mundëson për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Veri”, potencoi Krasniqi.

Çfarë shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Udhëzimi Administrativ

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Largimi i kryetarëve në katër komunat veriore përmes një peticioni u pa me skepticizëm si nga aktorët vendor edhe nga ndërkombëtarët të cilët kërkojnë që kryetarët të largohen vetiu dhe vullnetarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore