Kosova

Krasniqi i akuzuar se i ka shkaktuar dëm KEK-ut mbi 3 milionë euro: Një ndeshje futbolli merr epilog në fund


Nagip Krasniqi

Përkundër aktakuzës nga Prokuroria Speciale për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar, ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është shprehur bindur në pafajësinë e tij, meqë thotë se askush s’e ka faktuar që ai ka kryer “veprim kundërligjor” me qëllim që t’i shkaktojë dëm dikujt ose me qëllim të përfitimit personal.

“Kam llogari bankare ku çdo kush nga hetuesia ka qasje. Kam deklarimin e pasurisë të bërë. Nëse pitja hahet tepsia ngel. Asnjë provë nuk ka mbërritur askush ta prezantojë se cili ka qenë dëmi që ia kam shkaktuar dikujt apo përfitimi që kam marrë unë. Një ndeshje futbolli merr epilog në fund”, tha Krasniqi gjatë një interviste në KTV më 22 gusht.

Ai tutje ka treguar edhe për “lidhjen” e tij me kryeministrin Albin Kurti, teksa e ka pranuar se me këtë të fundit kishte kontakte sa e kishte udhëhequr Komitetin për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, por e ka mohuar se ka qenë anëtar i kësaj partie.

“Unë e kam udhëhequr Komitetin për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje për disa vjet, nuk shoh asnjë gjë të keqe në këtë punë. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar. Komiteti në LV nuk operon në sistemin e anëtarësisë, por të ekspertëve dhe sigurisht aty kam pasur edhe kontakte me Kurtin”, ka treguar Krasniqi.

Krasniqi e sheh aktakuzën ndaj tij si “gjueti shtrigash”: Jam munduar ta ndalë zhvatjen në KEK – Martin Berishajn e takova veç njëherë

Si “gjueti shtrigash” e ka cilësuar aktakuzën ndaj tij Krasniqi nga Prokuroria Speciale se i ka shkaktuar dëm KEK-ut mbi 3 milionë euro, duke tregtuar energji elektrike nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrane”, derisa ka shtuar se e ka arritur ta ndalë “zhvatjen” në KEK sa e ka udhëhequr.

“Është një gjueti shtrigash. Ajo që unë e kam kuptuar gjatë periudhës që kam qenë në KEK se ka pasur përfitime nga kompani të ndryshme private që me një mënyrë ka qenë zhvatje e ndërmarrjeve publike. Unë prejse kam shkuar në KEK jam munduar që ato zhvatje të ndalen, meqë kanë qenë të lidhura me një numër të partive politike”, potencoi ai.

Gjatë intervistës, Krasniqi është pyetur edhe për raportin e tij me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, derisa ka treguar se këtë të fundit e ka takuar vetëm njëherë para disa viteve.

“Unë Martin Berishajn e kam takuar njëherë para gjashtë-shtatë viteve. Dhe asnjëherë tjetër nuk kam ndenjur më të. Kam qenë në një udhëtim zyrtar në Zagreb edhe gjatë atij udhëtimi, unë se kam takuar zotëri Berishajn. Por, pasi jam kthyer ai më ka thirr dhe më ka thënë pse nuk më ke thirr për t’u takuar”, potencoi ish-kryeshefi i KEK-ut.

Krasniqi për tregtimin e rrymës nga kompania sllovene që s’kishte licencë: Ia kemi kursyer KEK-ut mbi 500 mijë euro  

Tutje Krasniqi ka insistuar se tregtimi i energjisë nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrane” e cila nuk kishte licencë ishte “i ligjshëm”, meqë sipas tij, tregtimi është bërë sipas ligjit për energjinë elektrike.

“Ne kemi diskutuar me zyrën ligjore dhe personelin. Edhe KOST edhe KEDS kanë bërë blerje të energjisë po nga kjo kompani sllovene. Tregtimi është bërë jashtë territorit të Kosovës. Tregimi nuk është bërë brenda territorit, për të cilën do të duhej një licencë. Në gjitha diskutimet jemi pajtuar që kjo është e natyrshme sepse ligji na mundëson, e ku thuhet se nuk ka nevojë për licencë shtesë”, ka shpjeguar Krasniqi.

“Ne me këtë vendim kemi mbrojtur KEK-un, sepse ne po ta kishim përjashtuar kompaninë sllovene nga tregtimi, do të blinin nga tregtari i dytë me çmim më të lartë. Edhe sipas analizës, për një muaj kemi kursyer mbi 500 mijë euro që kemi blerë me çmim më të ulët”, shtoi.

Ndërsa arrestimin e tij nga organet e rendit gjatë vitit të kaluar, Krasniqi e ka quajtur “kidnapim”, dhe ka shtuar se gazetarët kanë qenë aty para se të arrinte policia.

“A është logjike që prokuroria dhe policia t’i informojë mediat për një veprim që ka të bëjë me zbatim të ligjit. Aktakuza i është dhënë mediave, e jo avokatit tim apo mua. Ne e kemi marrë më vonë, një ditë më herët i është dhënë mediave”, theksoi ai.

Ndryshe, Krasniqi, para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, kishte punuar në dy banka në Kosovë e para se të punonte në sektorin bankar ishte punonjës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, pozita e kryeshefit në KEK nuk ishte e para për të në këtë korporatë.

Nga 2006 deri në vitin 2008 ai kishte punuar në KEK si Drejtor Financiar. Nga aty, sipas raportimeve, ishte shkarkuar nën dyshime për keqpërdorime dhe mungesë të kompetencës profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore