Kosova

Krasniqi: Ballkani Perëndimor ka pritur mjaft, BE t’i japë prioritet integrimit të rajonit


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i japë prioritet integrimit të Ballkanit Perëndimor në Union.

Këto komente, Krasniqi i ka bërë në Prizren, në hapje të seminarit ndërkombëtar “BE – Ballkani Perëndimor: Çka pas zgjedhjeve evropiane?”, organizuar nga “Institute of European Democrats”, në partneritet me PDK-në.

Krasniqi ka theksuar se Ballkani Perëndimor ka pritur mjaft gjatë në margjinat e procesit të vendimmarrjes në Evropë dhe se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian “t’i japë prioritet integrimit tonë, duke pranuar se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i Evropës është i pandashëm nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”.

Ndryshe, vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia), kërkojnë vazhdimisht anëtarësimin në BE, mirëpo ky proces deri më tani nuk duket fare afër.

Viti 2030 është përmendur si datë që mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor pjesë të Unionit, por asgjë nuk është e sigurt.

Sa i përket progresit për anëtarësim, Mali i Zi është vendi që ka plotësuar kushtet më së shumti, duke u ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por edhe Bosnje e Hercegovina.

Ndërsa, Kosova e Serbia, për shkak të problemit të pazgjidhur – që është kusht për anëtarësim – janë më larg se vendet tjera të rajonit në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore