Kosova

KPM dënon ashpër sulmet ndaj mediave në Veri


Këshilli i Pavarur për Media ka dënuar sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë raportimit të ngjarjeve në komunat veriore të hënën.

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është duke përcjell me vëmendje raportimet e mediave ndaj ngjarjeve në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmet tashmë të evidentuara ndaj gazetarëve, ekipeve te televizioneve dhe pronës se tyre”, thuhet në reagimin e KPM-së.

Sipas KMP-së, veprime të tilla që më së paku mund të cilësohen si huligane janë totalisht të papranueshme dhe sulm direkt ndaj informacionit dhe fjalës së lirë të mediave si vlera të panegociueshme të shoqërisë.

“KPM dënon ashpër dhunën dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, duke vlerësuar lartë guximin dhe angazhimin e secilit gazetar e medium për të ofruar informacione në kohë reale”.

Po ashtu KPM-ja ka kukuar nga institucionet kompetente që sa më parë të vendosin para drejtësisë autorët e këtyre sulmeve, në mënyrë që të ofrohet ambient i sigurt për të ushtruar lirshëm profesionin e gazetarisë në shërbim të publikut.

“KPM inkurajon fuqishëm të gjithë gazetarët që të kryejnë misionin e tyre, duke qenë në shërbim të informimit të saktë, korrekt e të paanshëm si elemente shumë të rëndësishme të mirëqenies dhe jetës demokratike në vendin tonë”.

Ndryshe, pas shtatë sulmeve ndaj gazetarëve të hënën e 29 majit në katër komunat në Veri nga protestuesit serbë i ka reaguar platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor – Safe Journalist.

Safe Journalist përmes një komunikate për media ka thënë se edhe një herë është treguar se ka mungesë të aftësisë për t’i lejuar gazetarët që të kryejnë punën e tyre.

“Deri më tani, gjithsej shtatë incidente të sulmeve ndaj gazetarëve dhe personelit të mediave janë dokumentuar në qytetet që ndodhen brenda rajonit verior të Kosovës”.

“Ngjarjet e sipërpërmendura përfshijnë raste të agresionit fizik, të ilustruar nga skenari i ekipit të portalit Periskopi, si dhe raste të shkatërrimit dhe vandalizimit të pronave që u përkasin subjekteve profesionale, si TëVë1, Dukagjini, Kallxo dhe Top Channel. Makina e TëVë 1 pasi u vandalizua me gurë dhe bojë i është vënë flaka”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore