KPK-ja i kërkon Osmanit ta dekretojë Blerim Isufajn Kryeprokuror

Blerim Isufaj

Dini Fetahu
05.04.2023 16:18
Loading Icons...

 Këtë të mërkure, përmes një njoftimi zyrtar, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se i është drejtuar me një kërkesë presidentes Vjosa Osmani që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se sot iu ka drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga KPK-ja potencojnë se kjo kërkesë është bërë pasi që janë shteruar të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit “ka qenë i drejtë dhe legjitim”.

“Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet aty.

Po ashtu, nga KPK-ja kanë nënvizuar se dekretimi i kryeprokurorit është esencial për sundimin e ligjit në vend, dhe për tërë sistemin prokurorial.

“Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend, prandaj KPK-ja thekson se shtetit dhe institucionit tonë i nevojitet Kryeprokurori i Shtetit me mandat dhe fuqi kushtetuese dhe ligjore”.

Ndërsa, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë për Albanian Post se presidentja ende nuk ka vendosur për ta dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të ri të Shtetit edhe pse më 6 prill të vitit 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Isufajn për Kryeprokuror të ri, pasi Aleksandër Lumezit i kishte përfunduar mandati.

“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kupina.

Më 6 prill, të vitit 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Blerim Isufaj

Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadoi mandati.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, ishte shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, me 24 mars Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur se e ka shpallur në kundërshtim me Kushtetutën Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

E gjithë kjo ka ardhur pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e partive opozitare, respektivisht ligjvënësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.

Në këtë njoftim thuhej se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses, tregon se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

Të fundit

Aktuale