Kosova

Kosumi: Marrëveshja me Serbinë ka shans të ndodhë këtë vit, pak a shumë është në favor të Kosovës


Bajram Kosumi

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, në një intervistë për Albanian Post, tha se arritja e paqes me Serbinë në bazë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ka një shans të ndodhë në këtë vit, porse pala kosovare s’ka nevojë të kryej “vetëvrasje” për hir të paqes.

“Besoj se duhet bërë gjithçka që ta kapim këtë shans, i cili pak a shumë është në favor të Kosovës. Por, nuk besoj se Kosova është në atë gjendje sa të pranojë çfarëdo paqeje. Duhet të pranojmë vetëm atë paqe e cila është në interesin e Kosovës dhe të rajonit”, tha ai.

Megjithatë, ai vlerësoi se aktualisht nuk është paqja me Serbinë çështja numër një, ashtu si e prezantojnë politikanët, por çështja numër një është shpirti i qytetarëve, vullneti i tyre, kultura e tyre, edukimi i tyre, që përmblidhen në një fjalë: shkolla dhe universiteti.

“Roli i shkollës dhe universitetit në shoqërinë e sotme është më i domosdoshëm se asnjë herë më parë. Shumëkush e sheh universitetin thjeshtë si një mundësi karriere, por e vërteta është shumë më e thellë: universiteti është rruga më e sigurtë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare”, konsideroi Kosumi.

Kosumi tha se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është detyrim kushtetues, por kryeministri Albin Kurti dhe opozita me të drejtë kërkojnë që ky mekanizëm të jetë pjesë e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është çështje e ligjësisë së procesit, ndryshe do të krijohej një proces i degraduar paqeje, i cili do ta sillte në tavolinë, më vonë, edhe një kërkesë tjetër të Serbisë, e cila do ta dëmtonte Kosovën”, tha ai.

Sipas tij, për ta realizuar këtë, kryeministri Kurti duhet të iniciojë dhe të mbajë një sërë takimesh me liderët e opozitës, për t’u harmonizuar për çështjet me interes nacional, pavarësisht garës politike për vota.

“Edhe më shumë duhet bërë kjo me administratën e (Joe) Biden dhe me aleatët europian e me Mbretërinë e Bashkuar: nuk duhet aleatët tanë më të rëndësishëm të ‘surprizohen’ me veprimet e qeverisë sonë, sepse fundja, disa nga këta aleatë kanë kontribute në krijimin e shtetit të Kosovës”, shtoi ai.

Lexojeni intervistën e plotë të Albanian Post me Bajram Kosumin, ish-kryeministër i Kosovës dhe Rektor në Universitetin e Gjilanit:

Historia nuk fillon nga zeroja – Intervistë me ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore