Kosova

Kosovë: Inflacioni në shifra rekorde bashkë me çmimet e konsumit


Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve në Kosovë (IHÇK)”, për muajin tetor.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1.0% në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin shtator 2021.

Kurse, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2021, me muajin tetor 2020 ishte më e lartë për 5.7 për qind.

Edhe gjatë muajit tetor ka pasur ngritje të çmimeve bazë të produkteve, duke filluar nga buka, mishi, qumështi, djathi dhe vezët, vajra dhe yndyrëra ushqimore.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (3.9%); mish (0.4%); qumësht, djathë dhe vezë (1.7%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (2.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.1%); kafe, çaj dhe kakao (3.0%)”,

“Gaz (5.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (5.8%); blerje e automjeteve (3.2%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (6.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë se këto shifra duhet të jenë alarm për Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se “para se t’i thurr lëvdata vetes ka shumë për të bërë”.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmerr veprime konkrete të cilat do të ndryshonin strukturën e inflacionit.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj

“Veprimet duhet fokusuar në produktet e konsumit si ato të importuara, por dhe te produktet vendore, duke krijuar lehtësira financiare dhe jo financiare, në mënyrë që të reflektojnë bizneset me ulje të çmimeve”, ka thënë Kadriaj për Albanian Post.

Kadriaj ka shtuar se edhe nëse ka ngritje të pagës inflacioni do të përshkallëzohej.

“Nëse kemi rritje të pagave inflacioni do të përshkallëzohej edhe më shumë për faktin që bizneset e nuhasin të parët çdo lëvizje, pra edhe nëse do të kemi rritje të pagës minimale krahas saj duhet të përkrahen bizneset në mënyrë që të rritet fuqia blerëse e konsumatorit”.

Edhe, për njohësin e ekonomisë, Erton Bega, është shqetësuese ngritja e inflacionit nga muaji në muaj.

“Ngritja e vazhdueshme e çmimeve mbetet shqetësuese për ekonominë pasi që norma e inflacionit po ngritët nga muaji në muaj, dhe në këtë mënyrë po zhvlerësohet fuqia blerëse e parasë e cila ndikon në zvogëlimin e konsumit”, tha Bega.

Erton Bega, njohës i ekonomisë

Ai ka treguar në detaje se çfarë ndikimi sjell rritja e inflacionit në të ardhurat tek familjet.

“Inflacioni sjell ndikim më të madh te familjet me të ardhura të ulëta me ç’rast me paratë e njëjta nuk mund të përballojnë blerjen e produkteve të nevojshme për shportën e konsumatorit pasi kemi ngritje të çmimeve të produkteve esenciale si vajrat dhe yndyrat me 27,9%, perimet 8,8%, qumështi, djathi dhe vezët 6,2%, që janë pjesë e çdo shporte konsumuese”, tha tutje ai.

Çmimet e produkteve të konsumit kanë shënuar ngritje rekorde muajt e fundit, ndërsa pagat janë të njëjta.

Ndërkaq, me termin inflacion përcaktohet rritja e çmimeve bazë të konsumit dhe shërbimeve ose anasjelltas shkalla e rënies së fuqisë blerëse të konsumatorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore