Kosova

1 milion vaksina për Ballkanin Perëndimor


Kancelari austriak, Sebastian Kurz

1 milion vaksina kundër Covid-19 do të ndahen si donacion nga Austria për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këtë ka bërë të ditur Kancelari austriak, Sebastian Kurz, në Samitin, i cili është duke u mbajtur në Vjenë me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi dërguar mbi 600 mijë doza për Ballkanin Perëndimor. Dhe si Republikë e Austrisë duam të japim një kontribut, duke i vënë në dispozicion 1 milion doza të vaksinës. Do të dërgojmë 1 milion për të mbështetur në luftën kundër pandemisë”, ka thënë ai.

Kosova është një nga vendet që akoma vazhdon të ketë numrin më të vogël të të vaksinuarve dhe vaksinave të ardhura krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas koordinatorit për vaksinim në Kosovë, Niman Bardhit, “totali i përgjithshëm i dozave të dhëna deri në këto çaste në nivel vendi janë 129 mijë 200 vaksina”, ka thënë ai.

Derisa vaksinimi po vazhdon me dhënien e dozave të tjera.

Qëndra më e madhe e vaksinimit në Kosovë, është Salla “1 tetori” në Prishtinë, ku janë të vendosura 15 ekipe mjekësore.

Për t’u vaksinuar në Kosovë, qytetarët duhet të aplikojnë në platformën e-Kosova.

“Vaksina ka mjaftueshëm në dispozicion, mjaftojnë që të kemi kërkesën dhe interesin e qytetarëve që të aplikojnë me qëllim të ndarjes terminit të tyre, nga momenti që e kemi atë pjesë të konfirmimit mbi terminin e ndarë, pa dyshim që do ta marrë vaksinën”.

Ai u ka bërë edhe një apel qytetarëve që të respektohet mosha më e vjetër.

“Apeloj sërish që të gjithë qytetarët të aplikojnë në platformën e-Kosova dhe paralelisht me ndarjen e terminëve. Le të dinë që duhet të kenë apo të respektohet grup-mosha që kemi mbi 65 vjeç”, ka thënë ai.

Ndërsa ka treguar edhe kategoritë se kush do të vaksinohet.

“Si kriter i dytë që kemi nëse është kategori e të sëmurëve kronikë që e kemi pa dallim moshe gjithsesi duhet të dëshmoj me dokumentacionin mbartës mbi shëndetin e personit në fjalë, dhe si kategori të tretë që kemi personelin shëndetësorë, mësimdhënësit, dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës që përfshihet Policia e Kosovës gjithsesi edhe këta duhet ta dëshmojnë qoftë me ID apo me kontratën që janë mbi atë institucion apo në marrëdhënie punë së tyre”, u shpreh ai.

Nga 15 qershori në vend ka filluar vaksinimi masiv për të bërë imunizimin e qytetarëve me vaksinën anti COVID-19.

Gjatë ditës së enjte, në Kosovë janë raportuar vetëm 10 raste me COVID-19 dhe nuk është shënuar asnjë rast vdekjeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore