Kosova

Kosova t’i plotësojë parakushtet nëse dëshiron të anëtarësohet në Këshill të Evropës, thotë zëdhënësja gjermane


Ilustrim

Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën në Këshill të Evropës (KiE), por për këtë ka disa parakushte që duhet të plotësohen, ka thënë të hënën në një konferencë për shtyp një zëdhënëse e ministrisë së jashtme gjermane, derisa është përgjigjur në pyetjen nëse Gjermania ka hequr dorë nga mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në organizatën lidere për të drejtat e njeriut.

“Përkundrazi, para së gjithash bëhet fjalë për plotësimin e parakushteve. Ne duam ta shohim Kosovën në KiE. Këtë e kemi përsëritur disa herë. Kështu ka thënë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë , Annalena Baerbock, në takimin e qershorit, por ndonjëherë këto janë thjesht procese shumë të gjata dhe të mundimshme që kërkojnë zgjidhje”, ka deklaruar ajo.

Qeveria e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim më 2022. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik mbetet në vendndalim për shkak të zhvillimeve politike. Kërkesa e Kosovës nuk është marrë parasysh në maj të këtij viti, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, kanë kushtëzuar Kosovën të bëjë hapa konkretë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova ka marrë mbështetje nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të KiE-së për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit të plotë në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e Kosovës ka devijuar krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore