Kosova

Kosova – pjesë e strategjisë ruse për të dëshmuar dobësinë e NATO-s, thotë Stradner


Ilustrim

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi në një intervistë për gazetën serbe “Danas” të dielën se Kosova është pjesë e strategjisë së Rusisë për të dëshmuar dobësinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) përmes nxitjes dhe përshkallëzimit të tensioneve.

Stradner, këshillitare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD), përmendi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndaj trupave të Forcës së NATO-s (KFOR), por edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë në shtator të të njëjtit vit.

“Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë pjesë e strategjisë ruse. Qëllimi në Kosovë është të tregohet se NATO është e dobët.  Vitin e kaluar mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën në përleshjet në veri të Kosovës. Së shpejti mund të presim struktura pro-ruse në Maqedoninë e Veriut, diçka që do t’i ndërlikojë edhe më shumë gjërat”, alarmoi Stradner për median serbe.

Stradner shtoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, imitoi ish-udhëheqësin fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili nisi disa luftëra në ish-territoret e Jugosllavisë nëpërmjet grupeve paramilitare, ashtu sikurse edhe presidenti rus, Vladimir Putin, i cili angazhoi paramilitarët rusë në agresionin në Ukrainë. Stradner deklaroi se Vuçiçi është kukull e Putinit.

“Millosheviçi bëri luftëra përmes strukturave paramilitare dhe këtë e provoi edhe Vuçiç në Banjë. Njësitë speciale dhe operacionet e informacionit janë çelësi. Dhe Putini e Vuçiçi e dinë se zona e hirtë e luftës nuk mund të provokojë nenin 5 të NATO-s, por mund të tregojë se aleanca është një tigër prej letre”, nënvizoi ndër të tjera analistja e njohur amerikane.

Shumë vëzhgues deklarojnë se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa krijohen kushte të favorshme për lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse që të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte rajonale nën mbështetjen e heshtur të Rusisë, rreziku i përshkallëzimit të dhunës tani rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore