Kosova

Kosova kërkon pyetësorin e anëtarësimit dhe statusin e kandidatit mes thirrjeve të BE-së për uljen e tensioneve në veri


Ilustrim

Institucionet e Kosovës kanë shtuar thirrjet e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar së fundi se vendi vazhdon të jetë në ballë të reformave dhe rrjedhimisht, duhet të fitojë sa më parë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

“Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, ka deklaruar presidentja Osmani javën e kaluar, gjatë takimit të parë me shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, diplomat estonez.

Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, derisa ka theksuar rëndësinë e pranimit të pyetësorit nga Komisioni Evropian (KE), i cili konsiderohet të jetë hapi i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në bllokun 27-shtetesh, ka shprehur optimizmin se aplikimi i Kosovës do të trajtohet gjatë presidencës hungareze të Këshillit të BE-së.

“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, ka thënë Kadiu në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të dielën.

Kosova, pavarësisht vrullit të supozuar në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, ka shënuar një progres të kufizuar drejt integrimeve. Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku s’e ka shqyrtuar akoma. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

BE-ja vazhdimisht e ka qortuar Qeverinë e Kosovës për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën e brishtë në veriun e trazuar të vendit. Megjithatë, këshilltari qeveritar ka shtuar se lëvizjet e autoriteteve kosovare në funksion të shtrirjes së ligjshmërisë në të gjithë territorin duhej të vlerësosheshin në mënyrë pozitive si “hapa shtytës” drejt integrimit.

“Sa u përket ‘hapave të njëanshëm’ dhe kritikave të BE-së, parë në kontekstin e integrimit drejt BE-së, ato do të duhej të vlerësoheshin pozitivisht dhe si hapa shtytës të funksionimit dhe sundimit të ligjit në vend, si dhe të luftimit të aktiviteteve ilegale dhe bandave kriminale. Pra, ata nuk do të duhej të ndikonin në prolongimin e procesit evropian”, ka shtuar mes tjerash Kadiu.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” në gusht të këtij viti, ka theksuar se “veprimet e pakoordinuara” në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përveç se janë kundër frymës së marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, rrezikojnë ta lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet i bllokuar në inbox. BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe neve na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, ka paralajmëruar Rohde.

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar. Sa i përket Hungarisë, ndonëse ajo e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk është treguar shumë miqësore sa i përket ambicieve evropiane të vendit.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, mandati i të cilit është drejt përfundimit, por është nominuar sërish për pozitën, ka deklaruar së fundi se nga Kosova kërkohet përmbushja e detyrimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht dërgimi i një draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë përmes dialogut. Ne presim që palët të ndjekin përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi dhe progres në zbatimin e detyrimeve të tyre në kuadër të dialogut – duke filluar me dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.

Këshilli i BE-së duhet të shqyrtojë aplikimin e një vendi dhe t’i japë mandat KE-së për të analizuar nëse ai vend përmbush apo jo kushtet për statusin e kandidatit. Pra, pyetësori është një instrument formal përmes të cilit vlerësohet gatishmëria e një vendi për të ecur përpara, përkatësisht për të pranuar statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat.

Konkretisht, pyetësori i KE-së trajton tre fusha kryesore (Kopenhagë, 1993): kriteret politike – stabiliteti demokratik, shteti i së drejtës, respektimi dhe mbrojtja e pakicave; kriteret ekonomike – kapaciteti për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut në BE; dhe kriteret acquis – aftësia për të marrë dhe zbatuar në mënyrë efektive detyrimet e anëtarësimit në BE.

Ndryshe, në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. E sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Kosovës vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, zor se mund të injorohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore