Kosova

“Kosova e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit”


Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë takimit të saj me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

“Theksova përkushtimin e Kosovës në kuadër të Procesit të Berlinit, duke vënë në pah që proceset e bashkëpunimit rajonal kanë të ardhme vetëm atëherë kur garantohet trajtimi i barabartë i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Kështu ka thënë Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë takimit të saj me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku duke diskutuar për bashkëpunimin rajonal, Gërvalla ka theksuar përkushtimin e Kosovës në kuadër të Procesit të Berlinit.

njoftimin e kësaj ministrie thuhet se gjatë këtij takimi, temë e rëndësishme e diskutuar ishte “rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë takimit të saj me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

“Ministrja Gërvalla theksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ajo e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila “ka nxitur reforma të nevojshme që e përafrojnë vendin me standardet e Bashkimit Evropian”.

Presidentja, Von der Leyen, gjatë ditës së mërkure është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kjo e fundit ka kërkuar nga ajo që i gjithë faktori ndërkombëtar të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.

“Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë. Përkundrazi, një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë Osmani thuhet në komunikatën e Zyrës për media të presidentes.

Presidentja e Komisionit Evropian në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani në takim me Von der Leyen ka diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët duke shtuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Ndërkaq, në kuadër të vizitës së saj, Von der Leyen është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Serbia po merr donacione nga BE-ja, por vazhdon të militarizohet nga Rusia e Kina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen

“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën me njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, militarizohet nga Rusia e Kina”, tha Kurti në një konferencë të përbashkët me presidenten Von der Leyen.

Kurti ka potencuar se e ka njoftuar Leyen edhe për situatën aktuale në vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, përveç se po e zbatojmë një marrëveshjen e vjetër, fatkeqësisht Serbia reagoj me forcë duke grumbulluar trupa tek vija kufitare duke përfshirë tanke dhe automjete luftarake e avion luftarak të prodhimit rus”, shtoi ai.

Von der Leyen: Dialogu, rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për situatën në veri të Kosovës, duke shtuar se Kosova e Serbia duhet të zhvillojnë dialog konstruktiv.

“Është shumë jetike të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi për te ecur përpara në integrimin evropian, jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale është shumë e rëndësishme që të shtensionohet situata të kthehemi në tryezën e negociatave për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, zgjidhja është dialogu”, është shprehur ajo.

Presidentja ka folur edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Ne dëshirojmë një Kosovë dhe një Ballkan Perëndimor i cili është pjesë e Evropës për këtë po punojmë është një rrugë e gjatë kjo që kemi kaluar, ja kemi borxh fëmijëve pra të ardhmes së Kosovës që të shohim këtë vend në Bashkimi Evropian”.

Von der Leyen, pas Kosovës do t’i vazhdojë vizitat në Mal të Zi dhe Serbi.

Turin e saj ballkanik Presidentja e Komisionit Evropian do e përfundojë të enjten në Bosnjë dhe Hercegovinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore