Kosova

Kosova e 56-ta në botë për lirinë e mediave, Ambasadori gjerman: Vazhdoni me punën e mirë


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i gëzuar pasi Kosova është renditur në vendin e 56 në botë për lirinë e mediave nga “Gazetarët pa Kufij”.

“Kosova ka arritur progres të mëtejshëm në lirinë e medias për dy vite radhazi, duke u renditur në vendin e 56-të në botë këtë vit”, shkroi ai në Twitter.

Sipas tij, pas kërcimit me 17 vende në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 dhe pesë vende të tjera këtë vit, “Kosova është sërish ndër vendet me performancën më të mirë në rajon”.

“Vazhdoni me punën e mirë”, shtoi ai.

Ndryshe, sipas raportit të organizatës “Gazetarët pa Kufij”, në Kosovë, klima e medias ka shfaqur përmirësim, por mbetet në nivele problem.

Kosova radhitet e 56-a sa i takon lirisë së medias, duke u ngritur me pesë vende në krahasim me vitin e kaluar. Teksa, nëse krahasimi bëhet me vitin 2021, Kosova ka qenë e 78-a.

Pra, rritja e saj ka qenë me rëndësi, por sërish ka nevojë për përmirësim.

Vendi i renditur më keq ndërkaq në raport, sa i takon rajonit, është Serbia, ku mediat pro-qeveritare shihen si përhapëse të propagandës ruse.

Serbia radhitet e 91-a, duke pësuar një rënie me 12 vende krahasimisht me një vit më parë, e cila është edhe rënia më e theksuar ndër vendet e rajonit.

Të renditurat më mirë ndërkohë, duke pasur edhe një vlerësim të gjendjes “pak a shumë të mirë” ose të kënaqshme të lirisë së medias, janë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat njëpasnjëshëm radhiten e 38-a dhe e 39-a në listë.

Atë e mbyll Bosnjë dhe Hercegovina, duke qenë e 64-a ndër vendet e rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore