Kosova

Kosova drejt deficitit tregtar prej 5 miliardëve – Abdixhiku: Kurti po na kushton, do të duhen vite për ta marrë veten


Foto ilustruese

Nga rreth 3 miliardë sa ishte deficiti tregtar i Kosovës po e kalon shifrën prej 5 miliardë duke e kthyer kështu Kosovën në shtetin më të varfër në Evropë sa i përket importit.

Deficiti tregtar është diferenca mes eksporteve, gjërat që shet Kosova dhe importeve, gjërave që blen.

Meqë prodhimi është i ulët në Kosovë, gjithmonë ka pasur deficit tregtar, por viteve të fundit ai është rritur ndjeshëm dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, beson se kjo është pasojë direkte e padijenisë së kryeministrit, Albin Kurti.

“Kosova ka ngecur me Kurtin”, shkruan ai në Facebook.

“Kur nuk ke ide se nga shkon, kur nuk ke vizion të qartë mbi rrugën përpara, kur vepron në mjegull ekonomike, secili hap të duket një ecje përpara. Fatkeqësisht, për vendin tonë, hapat ekonomikë të katër viteve të fundit janë hapa të mëdhenj prapa”, vazhdon shkrimi i tij.

“5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend. Ky është rezultati i ekonomisë së Kurtit”, thuhet në postimin e Abdixhikut.

Grafikoni

Ai është i bindur se Kosovës “po i kushton paaftësia e Kurtit”.

“Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë”.

Në fund të shkrimit të tij, Abdixhiku shkruan se në zgjedhjet e ardhshme, me 9 shkurt, qytetarët do ta bëjnë ndryshimin e madh në qeveri, duke larguar Kurtin dhe sjellur në pushtet atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore