Kosova

Komuna e Mitrovicës së Veriut organizon bashkëbisedim me qytetarë për Urën e Ibrit


Ilustrim

Komuna e Mitrovicës së Veriut të enjten (sot, 8 gusht) prej orës 11:00, në hapësirat e kuvendit komunal, do të organizojë takime dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale rreth temës “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillimi komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka ftuar qytetarët e komunitetit serb, që përbëjnë shumicën e popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, të marrin pjesë në këtë ngjarje, ku “do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës” mbi lumin Ibër, ka deklaruar se “urat na bashkojnë” dhe rrjedhimisht, ura kryesore në Mitrovicë duhet të jetë simbol i normalizimit.

“Për shumë kohë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Facebook” më 7 korrik, pas protestës së pjesëtarëve të komunitetit serb në kundërshtim të hapjes së urës mbi lumin Ibër.

Para hapjes së urës mbi lumin Ibër, ekzekutivi kosovar synon të testojë fillimisht “kapacitetit mbajtës të strukturës ekzistuese të urës”. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “IPE PROING SHPK” në Prishtinë, punëtorët e së cilës veçse kanë nisur inspektimet teknike të urës së Ibrit.

Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), më 2 gusht, kanë deklaruar se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment, ndërsa Forca e NATO-së në Kosovë (KFOR), ka theksuar se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se hapja e urës është “çështje kohe” dhe “nuk është fare” çështje e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd: “Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është fare çështje e dialogut. Është çështje e së drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore