Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët e QUINT-it, flasin për situatën e sigurisë dhe dialogun

KFOR/QUINT

Armat Matoshi
14.12.2023 18:02
Loading Icons...

Komandanti i Forces Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, ka takuar të enjten ambasadorët e shteteve të QUINT-it në vend, ku në qendër të vëmendjes ka qenë situata e sigurisë në Kosovë dhe mbështetja e mëtejshme ndaj procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Në këtë takim ka marrë pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ambasadorët e Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, Antonello De Riu e Nicholas Abbott, por edhe ambasadori turk, Sabri Tunç Angılı dhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.

“Pjesëmarrësit kanë shkëmbyer mendime mbi një sërë temash, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it nën mandatin e tij dhe përpjekjet e vazhdueshme për sigurinë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka njoftuar KFOR-i të enjten.

NATO ka shtuar numrin e trupave në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe ka paralajmëruar për përforcime të përhershme për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe, ndërsa diplomatët evropianë bëjnë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Të fundit

Aktuale