Kosova

Komandanti i KFOR-it flet në telefon më shefin e ushtrisë serbe: Të sigurohet mjedis i sigurt për gjithë qytetarët e Kosovës


Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka zhvilluar një bisedë telefonike me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Milan Mojsilovic.

Sipas njoftimit për media të KFOR-it, ata shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet e fundit dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.

“Komandanti i KFOR-it përsëriti se KFOR-i, si gjithmonë, do të vazhdojë të përmbushë misionin e tij – në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit OKB-së”.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, këtë të hënë ka konfirmuar se në Samitin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s që do të mbahet të martën dhe të mërkurën (28 dhe 29 nëntor) në kryeqendrën evropiane, një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Stoltenberg, në një konferencë për media, të hënën në Bruksel, ka thënë se së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të shqyrtojnë mënyrën se si të rrisin prezencën e NATO-s në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe t’i përgjigjen sfidave të sigurisë.

“Ne kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë secesioniste në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përpjekje malinje, përfshirë edhe Rusinë. Së bashku me Përfaqësuesit e Lartë të BE-së, ne do të diskutojmë për të rritur stabilitetin në rajon. NATO-ja ka shtuar mijëra trupa shtesë në Kosovë. Jemi duke shqyrtuar dhe një rritje dhe prezencë më të qëndrueshme në Kosovë”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore