Lajme

Kolumbia nuk ka prodhuar kurrë kaq shumë kokainë


Kolumbia, prodhuesi kryesor në botë i kokainës, theu një rekord të ri në vitin 2022 për prodhimin e pluhurit të bardhë, njoftoi OKB-ja të hënën e 11 shtatorit.

Sipas një raporti të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNDOC), të korrat e gjetheve të koka-s u rritën me pothuajse 13 për qind në vitin 2022, duke arritur një shifër rekord prej 230 mijë hektarësh.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Në vitin 2021, vendi kishte 204 mijë hektarë plantacione koka, tashmë një rritje prej 43 për qind krahasuar me vitin 2020.

Nëse shohim një ngadalësim të rritjes në vitin 2022, kjo shifër është megjithatë më e larta e regjistruar nga OKB-ja që kur ajo filloi të monitoronte prodhimin e kokainës në vitin 2001.

Prodhimi i barnave gjithashtu u rrit ndjeshëm në vitin 2022, i destinuar kryesisht për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Nga 1 mijë e 400 tonë kokainë shkoi në 1 mijë e 738 tonë.

Ky trend rritës është konsoliduar që nga viti 2014, pavarësisht metodës muskulare të favorizuar për të luftuar trafikun e drogës.

65 për qind e kultivimit të koka-s është e përqendruar në departamentet e Narino dhe Putumayo (jug), të dyja në kufi me Ekuadorin, dhe në departamentin e Santanderit të Veriut (veri-lindje), në kufi me Venezuelën.

Pjesa tjetër e vendit “paraqiti sjellje relativisht të qëndrueshme, me një rritje prej 3 për qind në sipërfaqen e kultivuar me koka”, saktëson raporti.

Nga 1 mijë e 122 komunat në Kolumbi, kultivimi i gjetheve të kokas është i pranishëm në 185 prej tyre, shton UNDOC-u.

Gati gjysma e të korrave të drogës (49 për qind) gjenden në rezervat indigjene (10 për qind), rezervat pyjore (15 për qind), në rajonet afro-kolumbiane (19 për qind) ose në parqe natyrore (5 për qind).

Kështu, Kolumbia mbetet deri tani kultivuesi më i madh i gjetheve të koka-s në botë, përpara Perusë dhe Bolivisë.

Shtetet e Bashkuara, të cilat historikisht financuan luftën kundër drogës, janë konsumatori kryesor i kokainës kolumbiane.

Këto shifra të reja alarmante, me një tendencë që nuk ka gjasa të përmbyset në vitin 2023, publikohen ndërkohë që presidenti i krahut të majtë Gustavo Petro (i zgjedhur në verën e 2022) vazhdon të denoncojë “dështimin” e luftës kundër drogës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore