Kosova

KFOR shton trupat dhe autoblindat në Urën e Ibrit, pas aksionit të Policisë në Veri


Ilustrim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mëngjesin e së shtunës kanë shtuar trupat e tyre në urën mbi lumin Ibër, duke formuar një kordon në mes të urës.

Përveç trupave, nga pamjet që janë publikuar, mund të shihet se ka shtim edhe të automjeteve të blinduara të karabinierëve italianë, të cilët me vite e ruajnë këtë urë.

Ky veprim i KFOR-it vjen një ditë pasi që Policia e Kosovës ndërmori një aksion në Veri të vendit, ku mbylli pesë (5) objekte të komunave paralele serbe, i cili u kritikua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kordoni i KFOR-it është krijuar rreth orës 09:00 të mëngjesit të së shtunës.

Raportohet se ushtarët e KFOR-it mbajnë pajisje kundër demonstrimit, së bashku me helmeta, derisa pamjet tregojnë se aktualisht ata nuk kanë mburoja me vete.

Kordoni i ushtareve te KFOR-it ne Uren mbi lumin Iber

Sa i përket aksionit të së premtes në Veri, nga ambasada amerikane në Kosovë kanë theksuar se Qeveria e SHBA-së përsërit “shqetësimin dhe zhgënjimin” e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat, sipas tyre, “vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim, derisa bëhet me dije se ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare.

Aty potencohet se SHBA-të dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Madje, ata theksuan se Policia është duke u instrumentalizuar nga politika, në këtë rast nga Qeveria Kurti.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premton të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”.

Veprimet e Qeverisë, bënë të ditur nga ambasada e SHBA-së, “do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Këtë aksion të policisë e ka kundërshtuar edhe Bashkimi Evropian, por edhe vendet e tjera perëndimore si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuara etj.

Ura Ibrit muajve të fundit është bërë temë e madhe, pasi që Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin për hapjen e saj.

Mirëpo, vendet perëndimore, përfshirë SHBA-të dhe BE, kanë theksuar se janë kategorikisht kundër hapjes së urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut në këto momente, derisa kanë bërë thirrje që të shmanget çfarëdo veprimi që mund të nxisë tensione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore